Kosova

Ndizen gjakrat në barrikadat e Veriut- Kurti dhe Vuçiç ‘qëllojnë’ njëri-tjetrin

Nga Gazeta ‘Si’-Arrestimi i ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, nën dyshimin se ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”, tensionoi situatën në Veri të vendit

Pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat mbeten të bllokuara edhe sot (11 dhjetor). 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa bëri thirrje për heqje të barrikadave që sipas tij janë vendosur nga “kriminelët me maska”, tha se Serbia ka disa ditë që po “e kërcënon Kosovën me agresion”.

Me këtë ai iu referua deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç të shtunën, se Serbia do t’u kërkojë forcave paqeruajtëse të NATO-s që ta lejojnë vendosjen e një numri trupash ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, duke ju referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa ky paralajmërim i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nuk është komentuar nga autoritetet ndërkombëtare, autoritetet në Prishtinë vijojnë ta cilësojnë si një kërcënim më agresion.

Kurti tha se Vuçiç kërkon që ta kthejë “kohën e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviç dhe kërkoi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të dënojnë dhunën, që tha se është e orkestruar, duke shtuar se një mosdënim, “do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.

Por nga ana tjetër, deklaratat e Vuçiç i cili thotë se nuk do të tërhiqen, i ndezën akoma më shumë gjakrat për barrikadat. 

Në një reagim në Instagram, ai tha se: “Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë, i cili sërish detyrohet të mbrojë vatrat e tyre me barrikada”. 

Gjithashtu ai ripërsëriti thirrjen që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke thënë se vetëm kështu mund të fillojë normalizimi i marrëdhënieve.

Çfarë ndodhi gjatë natës së mbrëmshme në veri?

Nata e mbrëmshme nuk ka qenë aspak e qetë për Veriun e Kosovës ku janë shënuar shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri.

Një prej shpërthimeve u dëgjua rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetri në orën 3:00 afër Zveçanit.

Tensionet nisën kur pala serbe përdori makineri të rënda duke krijuar barrikada, të cilat raportohet të jenë shtuar gjatë natës. Po ashtu forcat serbe kanë ngritur edhe çadra për të qëndruar dhe bllokuar rrugët.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar sot(11 dhjetor) se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.

EULEX-i bëri të ditur se “asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it në Facebook.

Këtë sulm e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.

“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.

Tensionet në zonë bënë që të shtunën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtyjë për në muajin prill të vitit të ardhshëm zgjedhjet për pushtetin komunal në veri, të parashikua në 18 dhjetor. 

QUINT mirëpriti shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë