Taksa

‘Ndikon në elektorat’, KQZ kërkoi mosmiratimin e draftit të Braçes, deputeti: E paguaj vetë gjobën!

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkoi që Kuvendi të shtyjë pas zgjedhjeve miratimin e dy projektligjeve, deputeti Erion Braçe ka refuzuar.

Një ndër projektligjet që KQZ kërkon të mos miratohen mban emrin e deputetit Brace i cili kërkon rishikim të skemës së TVSH-së në bujqësi, pasi ajo në fuqi nuk favorizon fermerët.

Gjatë mbledhjes së sotme të komisionit të Ekonomisë, deputeti Brace reagoi me rezerva ndaj kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi duke thënë se është “i shastisur” nga ky vendim.

Brace i kërkoi Kuvendit të vazhdojë me shqyrtimin e draftit duke theksuar se do t’a paguajë vetë ai gjobën e Komisionit.

“Më vjen keq që nisma ka një emër mbiemër dhe minimalisht duhet të më kishte thirrur, për të kuptuar ata se për çfarë bëhet fjalë. Referenca e bërë me nenin, nuk shkon se as kemi ulur as kemi hequr taksa. Ne madje kemi bërë 20% tatim. Jam i shastisur nga vendimi i juristëve, por ka të bëjë me njerëz dhe jo me makina. Të marrin e të lexojnë nismën dhe të kuptojnë se çfarë efekti ka nisma. Vendimi që kanë marrë është vendim kuzhine, të ndalosh cilindo të qërojë patatet në kuzhinë se përfituesi është ai që han patate të skuqura. Do doja shumë të vijonim përpara dhe gjobën e paguaj unë me këste. Kush është ankuar për këtë nismë, kush? 6 vite e kam kuptuar se kush e pengon nismën, por ata kanë arritur deri këtu tek KQZ”, tha Braçe në fjalën e tij.

Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi tha se i ka kërkuar infromacion të mëtejshëm KQZ-së për këtë vendim, duke theksuar se është “i bindur se ata nuk e kanë kuptuar nismën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë