Shendet

Ndikimi i tensionit të gjakut në shtatzëni

Gratë shtatzënë të cilat vuajnë nga tensioni i gjakut kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme me kujtesën më vonë gjatë jetës, sipas një studimi të fundit. Studiuesit nga Holanda testuan kujtesën dhe aftësitë e të menduarit të 596 grave që kishin lindur pesëmbëdhjetë vjet më parë.
Grupi përfshinte gratë, të cilat kishin pasur një tension gjaku normal gjatë shtatzënisë dhe ato me nivele të larta.
Gjetjet  tregojnë se mund të krijohen programe të ndryshme  që mund të trajtojnë nënat e reja të kenë një jetesë të kujdesshme gjatë shtatzënisë, duke anashkaluar kështu problemet shëndetësore.
“Gratë me presion të lartë të gjakut që fillojnë në shtatzëni, si dhe gratë me pre-eklampsi duhet të monitorohen nga afër pas shtatzënisë së tyre,” tha autori i studimit Maria Adank nga Universiteti Erasmus i Roterdamit.
Në studimin e tyre, Adank dhe kolegët e tij kryen teste të kujtesës në gjithsej 596 gra, 481 prej të cilave kishin nivele normale të presionit të gjakut gjatë shtatzënisë dhe 80 që kishin të ashtuquajturën hipertension gestacional, i cili zhvillohet pas 20 javësh.

35 pjesëmarrësit e fundit kishin pre-eklampsi, një ndërlikim i shtatzënisë i fituar nga presioni i lartë i gjakut zakonisht gjatë gjysmës së dytë të shtatzënisë dhe pas lindjes, si dhe prani të proteinave në mostrat e urinës.
Studiuesit testuan aftësitë e mendimit dhe kujtesës së secilës grua pesëmbëdhjetë vjet pasi kishin lindur fëmijën e tyre. Ekipi zbuloi se personat që kishin presion të lartë të gjakut ndërsa ishin shtatzënë, ishin të prirur për rezultate më të ulëta në testet e aftësisë së tyre të menjëhershme dhe të vonuar të kujtesës, në të cilën u kërkua që të kujtojnë një listë me 15 fjalë së pari menjëherë dhe përsëri 20 minuta më vonë.
Kjo mangësi mbeti edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë që mund të kishin ndikuar në aftësitë e kujtesës së grave, të tilla si niveli i arsimimit dhe indeksi i masës trupore para shtatzënisë. Në mënyrë të veçantë, ato gra që kishin presion të lartë të gjakut gjatë shtatzënisë së tyre shënuan mesatarisht 25 nga 45 të mundshme në provën e menjëhershme e cila iu dha secilës grua tre herë krahasuar me 28 për gratë e tjera.

“Eshtë e rëndësishme të merret në konsideratë hipertensioni gestacional dhe pre-eklampsia si faktorë rreziku për dëmtim njohës që janë specifikë për gratë.Shumë gra mund ta mendojnë këtë si një çështje të përkohshme gjatë shtatzënisë dhe nuk e kuptojnë se mund të ketë efekte afatgjata,” tha ekspertja Adank.
Ekipi nuk gjeti asnjë ndryshim midis dy grupeve në lidhje me testet e aftësive motorike të imëta, shpejtësinë e përpunimit, rrjedhshmërinë verbale dhe aftësinë vizuale-hapësinore. Adank paralajmëroi se studimi nuk provon se ekziston një lidhje shkak-pasojë midis presionit të lartë të gjakut gjatë shtatzënisë dhe rezultateve të testeve më vonë gjatë jetës.
Një kufizim i studimit ishte që asnjë test i të menduarit ose kujtesës nuk u mor para se gratë të ishin shtatzënë, ose gjatë shtatëzënësisë, për qëllime të krahasimeve fillestare. Studiuesit gjithashtu nuk mund të shikonin efektet në aftësitë e të menduarit të një shtatzënie të komplikuar nga presioni i lartë i gjakut brenda një gruaje.

“Studimet e ardhshme janë të nevojshme për të përcaktuar nëse trajtimi i hershëm i presionit të lartë të gjakut mund të parandalojë problemet njohëse tek gratë me një histori të presionit të lartë të gjakut në shtatzëni,” përfundoi Dr Adank.
Burimi: Daily Mail/ Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë