Politike

Ndikimi i grupeve kriminale/ Elbasani dhe Durrësi, zonat elektorale me më shumë risk (harta)

Foto ilustruese, votim elektronik 2021

Instituti i Studimeve Politike ka hartuar Hartën e Riskut Elektoral me synimin për të prezantuar vlerësimet dhe risqet e mundshme elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2025.

Sipas të dhënave, Elbasani dhe Durrësi kryesojnë listën si zonat zgjedhore me më shumë risk, 87% koeficienti, për shkak të ndërthurjes së shumë elementëve aty (ekzistenca e korrupsionit në nivele të larta, grupeve kriminale  me ndikim, lidhjeve të forta informale, nivelit të trafikimit të votës dhe rolit të individëve të fuqishëm ekonomikisht, si dhe traditës në 2-3 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale).

Pas tyre dhe për të njëjtat motive vijnë bashkia Dibër, bashkia Lezhë, bashkia Kurbin, bashkia Shkodër, Fier etj. Në disa prej këtyre bashkive ekzistojnë zona ku vota trafikohet/devijohet prej vitesh nga individë apo grupe informale me ndikim të madh politik dhe financiar. 

Himara përbën përjashtim për shkak specifikash të tjera, kryesisht të lidhura me zgjedhjet e fundit lokale, kurse bashkitë e vogla si Shijaku, Bulqiza, Kukësi apo Mati kanë tipar të përbashkët ndikimin e grupeve informale apo kriminale, si dhe trafikun e infuencave.

Zonat me riskun më të ulët elektoral janë kryesisht zonat tradicionale të specifikave të njëjta edhe me zgjedhjet e viteve 2015-2025. Të tilla janë Përmeti, Maliq, Konispol, Finiq, Dimal, Gramsh, Belsh, etj, zona të cilat nuk kanë krim të organizuar, nuk kanë individë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë pas tyre, nuk kanë peshë të madhe elektorale dhe përbëjnë njësi vendore homogjene në përbërje dhe traditë.

Matjet e ISP janë bazuar në 10 komponentë të cilët vlerësohen 1-10 pikë sipas riskut. Të dhënat e mbledhura janë pjesëtuar me nivelin më të lartë të pikëve të marra duke dhënë përqindjen e secilës bashki sipas riskut elektoral. Komponentët e analizuar janë ndikimi i gurpeve kriminale, hendeku në votë midis partive, akuza dhe incidente në zgjedhje të mëparshme, potenciali për trafikim vote, rotacion politik etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë