Shendet

Ndikimi i Covid-19 / Një në tre fëmijë ka probleme me shikimin, situatë alarmante në të ardhmen

Nga Gazeta Si- Shikimi i fëmijëve po përkeqësohet vazhdimisht dhe studimi më i fundit tregon se tashmë një në tre fëmijë ka probleme me shikimin, kryesisht duke mos parë qartë gjërat në distancë.

Sipas studiuesve, izolimet për shkak të Covid-19 kishin një ndikim negativ në shikim pasi fëmijët kaluan më shumë kohë në ekrane dhe më pak kohë jashtë.

Miopia është një shqetësim global shëndetësor në rritje, i cili pritet të prekë miliona fëmijë të tjerë deri në vitin 2050, paralajmëron studimi global.

13 vendet kryesore me normat më të larta të prevalencës së miopisë ishin Japonia (85,95%), Korea (73,94%), Rusia (46.17%), Singapori (44.05%), Kina (41.11%), Greqia (38.28%), Italia (33.15%), Indonezia (32.68%), Meksika (32.48%), Malajzia (31.88%), Kazakistani (28.26%), Suedia (28.00%) dhe Izraeli (26.78%).

Studimi, i botuar në British Journal of Ophthalmology, shqyrtoi kërkimet që përfshinin më shumë se pesë milionë fëmijë dhe adoleshentë nga 50 vende në të gjithë kontinentet.

Në studim gjithashtu u zbulua se problemet me shikimin u trefishuan midis 1990 dhe 2023.

“Dhe rritja ishte veçanërisht e dukshme pas pandemisë Covid”, thonë studiuesit.

Gjatë izolimeve të Covid në mbarë botën, kur miliona njerëz duhej të qëndronin brenda për periudha të gjata, shikimi i fëmijëve dhe adoleshentëve u përkeqësua.

Miopia zakonisht fillon gjatë viteve të shkollës fillore dhe përkeqësohet me kalimin e viteve.

Ka faktorë që e bëjnë atë shumë më të mundshme siç është gjenetika apo dhe mosha kur fillon ‘arsimin’ siç janë fëmijët që jetojnë në vende si Singapori dhe Hong Kong ku fëmijët shkojnë në kopshte që në moshën dy vjeçare.

Kjo do të thotë se ata shpenzojnë më shumë kohë duke u fokusuar në libra dhe ekrane, gjë që tendos muskujt e syrit dhe mund të çojë në miopi, sugjeron hulumtimi.

Në Afrikë, ku shkollimi fillon në moshën 6deri në 8 vjeç, miopia është shtatë herë më pak e zakonshme se në Azi.

Situata shihet më alarmante në të ardhmen ku sipas studiuesve, deri në vitin 2050, gjendja mund të prekë më shumë se gjysmën e adoleshentëve dhe fëmijëve në mbarë botën.

Vajzat ka të ngjarë të kenë norma më të larta se djemtë, sepse ato priren të shpenzojnë më pak kohë duke bërë aktivitete në natyrë në shkollë dhe në shtëpi ndërsa rriten, sugjeron studimi.

Si ta mbroni shikimin e fëmijës?

Fëmijët duhet të kalojnë të paktën dy orë jashtë çdo ditë, veçanërisht midis moshës shtatë dhe nëntë vjeç.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu që prindërit t'u bëjnë fëmijëve të tyre vizita sysh kur ata janë shtatë deri në 10 vjeç, edhe nëse shikimi i tyre është kontrolluar në një moshë më të vogël.

Prindi gjithashtu duhet të ketë parasysh se miopia është gjenetike dhe nëse vetë kanë probleme me shikimin, edhe fëmija ka deri në 3 herë më shumë gjasa që të ketë probleme.

Miopia nuk mund të shërohet por mund të mbahet në kontroll me syze ose lente kontakti.

Cilat janë shenjat e miopisë?

Vështirësi në leximin e fjalëve nga larg, si p.sh. leximi i tabelës së bardhë në shkollë

Duke u ulur afër televizorit ose kompjuterit ose duke mbajtur shumë afër syve tabletin.

Dhimbjet e kokës

Fërkimi i syve shumë

Më herët, mjeku okulist Rubin Topi ka thënë për Gazetasi.al se në Shqipëri, 4 në 10 fëmijë kanë probleme me shikimin.

“Me këto ritme, rrezikon që të kthehet në një epidemi miopie”, tha mjeku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë