Ka ndodhur

Ndihmuan në arratisjen e trafikantëve, burg për 5 rojet bregdetare në Vlorë

Pesë rojet bregdetare të arrestuar në Vlorë për rastin e 55 sirianëve që po tentonin të shkonin drejt Italisë me një gomone, janë lënë në burg nga Gjykata e Vlorës. Këta të fundit akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.

Sipas policisë ata lejuan që të largohej drejtuesi i gomones me të cilën do të transportoheshin drejt Italisë shtetasit nga Lindja e Mesme.

Të arrestuarit janë B. B., 38 vjeç, banues në Vlorë, R. Ç., 54 vjeç, banues në Vlorë, B. M., 26 vjeç, banues në Vlorë, S. B., 23 vjeç, banues në Vlorë, A. A., 34 vjeç, banues në Vlorë.

Seanca gjyqësore është zhvilluar në prani të familjarëve, mes tensioneve dhe lotëve. Një prej personave të akuzuar, S.B., është shprehur se është i pafajshëm dhe se i ka shpëtuar jetën emigrantëve.

“Jemi të pafajshëm shpëtuan 55 jetë njerëzish, nuk lejuam të ndodhte tragjedia. Në 9 janar të 2004-ës, 28 veta vdiqën. Na akuzojnë për shpërdorim detyre, po për çfarë shpërdorimi detyre…? Nuk kemi shpërdoruar detyrën, ne kemi bërë detyrën”, tha S.B.

Në janar të këtij viti, policia shpëtoi  55 klandestinë, të cilët do trafikoheshin drejt Italisë në kushtet kur deti ishte me dallgë rreth 5 ballë.

Pas një telefonate në sallën operative, autoritetet portuale dhe ato policore në Vlorë, kanë shpëtuar emigrantët, duke shmangur një tragjedi të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë