Ka ndodhur

Ndihmoi Ragip Gilën në masakrën e Shkodrës, arrestohet bashkëpunëtori i mitur

Gazeta Si – Një 17-vjeçar u arrestua në Shkodër si i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me Ragip Gilën në atentatin e 8 shtatorit në qendër të qytetit, ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Forcat “Shqiponja” e ndaluan të miturin me iniciale D.N., gjatë një kontrolli rutinë, ku iu gjetën disa doza kokaine.

Pas verifikimeve në komisariat, rezultoi se ai kërkohej gjithashtu edhe për vjedhjen e një motori në muajin gusht.

Ragip Gila, 29-vjeç, mbërriti në vendin e ngjarjes me një motor në bar-kafen pranë Bashkisë së Shkodrës në 8 shtator,, ku qëndronin Armando Pali, Liridon Kraja, që mbetën viktima, si dhe Erogen Vaso, që u plagos. Breshërisë së plumbave nuk i shpëtoi as kamarierja e lokalit, 25-vjeçe.

Si pasojë e të shtënave, Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa 31-vjeçari Liridon Kraja ndërroi jetë në spital.

Pak pas atentatit, Gila u arrestua në tentativë për t’u arratisur. Autori u përplas me dy automjete, duke e detyruar atë të braktisë makinën që drejtonte.

Ai është larguar më pas në këmbë, por pas disa minutash ndjekjeje, është arrestuar nga forcat e rendit pranë lumit Kir, ku dyshohet se është rrëzuar.

Policia ka sekuestruar edhe dy armët e zjarrit: një automatik që përdori në krim dhe pistoletën me të cilën grabiti makinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë