Sabina Veizaj-Eksperti në fushën e ekonomisë, njëkohësisht Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike Zef Preçi, në një intervistë për gazetën “Si”, mbështet masat e marra nga qeveria shqiptare në përgjigje të pandemisë globale si pasojë e shpërthimit dhe përhapjes së Koronavirusit, por thotë që është e pamjaftueshme dhe nën kapacitetin që lejon buxheti i shtetit. Teksa Preçi llogarit që ndihma financiare në vendet europiane fqinje shkojnë deri afro 7000 euro për frymë, nga shuma e akorduar prej qeverisë Rama llogaritet 70$ për frymë.
“Mendoj se ky hap pozitiv është i pamjaftueshëm si për faktin se shumat e vëna në dispozicion janë nën kapacitetet e vendit dhe larg nevojave të ngutshme të sektorëve të identifikuar, ashtu për implikimet për shkak të zbatimit të njëkohshëm me planin tjetër buxhetor – rindërtimin mbas tërmetit të Nëntorit 2019, por edhe për faktin e thjeshtë se po ndërmerret duke anashkaluar rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020 si dhe duke lënë jashtë angazhimit sitemin bankar dhe juridik të vendit.”- shprehet Preçi për gazetën “Si”.
Si e vlerësoni planin e paketës së mbështetjes financiare të bërë dje publik nga kryemnistri Rama?
Hartimi i planit të mbështetjes financiare i shpallur nga kryeminstri Rama në emër të qeverisë shqiptare përbën një hap të pashmangshëm dhe në drejtimin e duhur që shkon në linjë me qendrimet e të gjitha qeverive të botës në përpjekje për të zvogëluar ndikimet negative shumëdimensionale të krizës së shkaktuar nga pandemia e Koronavirus-it.
Ndërkaq shpallja e këtij plani thjesht në përmasa shqiptare të njohur si rindërtimi mbas tërmetit të 26 Nentorit 2019 nuk do të vështirësojë edhe/ose pamundësojë zbatimin e tij.
Qeveria shqiptare do të realizoje këto dy plane të saj pa rritur më tej borxhin publik. Kuptohet se është vështirësisht e besueshme edhe për vëzhguesit më naiv të politikave publike dhe çështjeve fiskale se këto premisa do të mbeten të tilla, ndonëse merret vesh lehtë se kushtëzojnë dukshëm zbatimin e planit në fjale të qeverisë…
Duke i marrë të mirëqena apo si të kapërcyeshme këto sfida të qeverisjes së financave publike të vendit tonë, mendoj se pavarësisht nga deklarimet vend e pavend të Z. Rama se nuk jemi vend i pasur si Gjermani apo Franca, etj., shuma e ofruar ndaj sipërmarrjeve dhe shtresave më në nevojë të shoqërisë shqiptare është relativisht e vogël dhe nën kapacitet reale të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi. Ndërkaq, sa u takon përparësive të shpallura të këtij plani, mendoj se ai dëshmon një njohje disi të sipërfaqshme të realitetit social-ekonomik të vendit, veçanërisht të riskut që kjo krizë paraqet për ato shtresa dhe grupe shoqërore që edhe përpara kësaj krize ishin në kufinjtë ekstreme të varfërisë, si dhe për gjendjen tejet problematike të infrastrukturës.
Bëhet fjalë për 370 milion dollare nga buxheti i shtetit për të mbështetur financiarisht biznese, shtresa në nevojë dhe më të prekurit nga kjo emergjencë shëndetësore kombëtare si edhe mbështetjen ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për të blerë pajisje, e produkte mjekësore. A është një ndihmë e mjaftueshme kjo për të kapërcyer situatën që nuk dihet se sa do të zgjasë?

Nisur nga situata ekonomike e vendit gjatë dy-tre viteve te fundit, kjo shumë mund të duket e madhe dhe serioze dhe është e tillë. Por nëse e shohim në kontekstin e peshës specifike ndaj PBB-së së vendit dhe e krahasojmë me seriozitetin me të cilin po trajtohet përballimi i kësaj krize nga qeveritë perëndimore, mund të konfirmohet se në të vërtetë është mjaft e vogël dhe nën kapacitetet e vendit. Kështu nëse qeveritë gjermane, franceze dhe ajo amerikane kanë destinuar për këtë qëllim fonde të barabarta përkatësisht me 14%, 11% dhe 7% të PBB-së së vendit përkatës, qeveria Shqiptare është angazhuar të destinojë vetëm 1,5% të PBB-së së vendit. Nuk po flas për shumat mesatare për frymë të këtyre programeve të posaçme që janë përkatësisht 6,600 Euro, 4,500 Euro dhe 4,000 dollarë, ndërsa në Shqipëri përllogaritjet rezultojnë vetëm 70$ për frymë…
E nëse e shohim pak më në detaje këtë plan, vihet re se realizimi i këtij plani mbështet kryesisht në rritjen e mëtejshme të borxhit publik në më shumë se gjysmën e tij.
Shkurt, në rastin më të mirë qeveria do të jetë e detyruar të rrisë defiçitin buxhetor dhe borxhin publik për realizimin e planit të shpallur prej saj kundër pandemisë së Koronavirus-it.
Mendoj se ky hap pozitiv është i pamjaftueshëm si për faktin se shumat e vëna në dispozicion janë nën kapacitetet e vendit dhe larg nevojave të ngutshme të sektorëve të identifikuar, ashtu për implikimet për shkak të zbatimit të njëkohshëm me planin tjetër buxhetor – rindërtimin mbas tërmetit të Nëntorit 2019, por edhe për faktin e thjeshtë se po ndërmerret duke anashkaluar rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020 si dhe duke lënë jashtë angazhimit ssitemin bankar dhe juridik të vendit.
Masat drastike që ka ndërmarrë qeveria për tu mbrojtur nga përhapja në masë e Covid-19 sipas jush a do të kenë ndikim të rëndë në ekonomi duke nisur nga prodhimi, oferta, kërkesa të ardhurat, etj?
Ashtu si shumë të tjerë, unë e kritikoj qeverinë për reagim të vonuar ndaj pandemisë së Koronavirus-it, duke besuar se në një shtet serioz planet për situata të jashtezakonshme hartohen në periudha kohe të zakonshme; se kriza në ekonominë shqiptare është prezente në vazhdimësi për sa kohë që mungon prodhimi vendas dhe ekonomia bazohet në shërbimet dhe në eksportimin e fuqisë puntore dhe të lëndëve të para të papërpunuara; se braktisja e vendit është dëshmi e keqqeverisjes dhe shfaqja më domethënëse e pranisë së krizës së gjithanshme në vendin tonë. Pavarësisht kësaj, mendoj se kjo mënyrë e reagimit përmes një plani të posaçëm është mënyra e duhur – mbetet për të parë detajet, dmth nëse mbështetja buxhetore, masat fiskale, rishikimet e procedurave, etj., do të arrijnë shtresat e shoqërisë, grupet shoqërore dhe të sipërmarrjes të deklaruara në fillim të zbatimit të këtij pani.
Sa i takon ndikimit të masave që ka marrë qeveria të tilla si vetizolimi, ndërpreja e shërbimeve dhe e prodhimit në bizneset e vogla dhe të mesme, mbyllja e kufinjve, etj., kuptohet se ato japin ndikimin e vet në përkqësimin e situatës ekonomike në përgjithësi. Por argumenti se masat qeveritare nuk duhet të ndërpresin zinxhirin ekonomik sidomos në ato aktivitete ekonomike ku janë të punesuar një numër i madh puntorësh dhe nga shtresat me status social ekonomik të ulët të shoqërisë tonë, meriton të respektohet dhe këto masa duhet të ndëmerren në bashkëpunim të ngushtë me vetë komunitetin e biznesit, botën akademike, ekspertët e pavarur, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




