Në Angli pandemia e koronavirus nuk ka arritur ende kulmin, por 20 klubet e Premier League duan të përfundojnë sezonin dhe po studiojnë mënyrën më të mirë të mundshme. Siç bën të ditur The Sun, kjo javë do të jetë vendimtare për rifillimin, me shumë mundësi në qershor. Pritet të luhet me dyer të mbyllura, për të limituar rreziqet e infektimit, sipas Mirror, Football Association ka vënë në dispozicion stadiumin Wembley, ku do të luhen 4 ndeshje në ditë. Reuters zbulon, ndër të tjera, se edhe National Football Center i St George’s Park – me 228 dhoma hoteli e 13 fusha futbolli – do të vihet në dispozicion të klubeve, që mund ta përdorin si bazë stërvitore në karantinë për të mbajtur të bashkuar sa më shumë të jetë e mundur lojtarët e stafin e tyre.
Me kushtin që të mos ketë rreziqe për shëndetin, synimi është “të mbyllet sezoni”: janë 92 ndeshje për t’u luajtur. Jo vetëm për shkak të presionit nga FIFA, por edhe për paratë e shumta në lojë, sidomos nga të drejtat televizive: nëse kampionati nuk përfundon, klubet duhet të kthejnë 371 milionë sterlina tek Sky Sports e 50 milionë tek BT Sport. Një goditje e rëndë edhe për futbollin e pasur anglez, i gjunjëzuar si të gjithë të tjerët nga koronavirus.
Disa klube të mëdha i kanë paralajmëruar lojtarët se rifillimi i stërvitjes është fiksuar për në 11 maj. Pastaj, tre javë përgatitje dhe në fund sprinti final, që do të kurorëzojë Liverpool kampion, pas 30 vjetësh pritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




