Kombetarja

Ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën, Reja pritet të grumbullojë Vrionin në sulm

Më 12 dhe 15 nëntor Shqipëria mbyll kualifikueset e Botërorit të Katarit. Luan fillimisht me Anglinë në transfertë dhe më pas me Andorrën në shtëpi, me shanse minimale vetëm matematikore për vendin e dytë në grup, që të çon në “Play off”. Sidoqoftë, kuqezinjtë do t’ua bëjnë në maksimum shërbimin këtyre ndeshjeve për të grumbulluar sa më shumë pikë.

Trajneri Edi Reja nuk e ka shpallur ende listën zyrtare për këto dy ndeshje, por gjasat janë të mëdha që këtë herë ai të grumbullojë sulmuesin Xhakomo Vrioni, i cili ka pasur një ecuri të mirë në kasmpionatin austriak me Tirolin. Balaj ka vuajtur një dëmtim dhe pritet që të zëvendësohet nga Vrioni, në formë shumë të mirë fizike.

Nga nje ndeshje e Kombetares me Polonine. Gazeta Si, 2 nentor 2021

Për dy ndeshjet e nëntorit pritet që në Kombëtare të ketë edhe ndonjë rikthim të rëndësishëm. Qazim Laçi, që mungoi me Hungarinë dhe Poloninë, e ka lënë pas dëmtimin dhe me siguri do të jetë në listë. Cikalleshi dhe Gjasula e kanë kaluar me kohë Covid-in dhe do të jenë gati për Rejën. Edhe Keidi Bare, që vinte nga një dëmtim, është aktivizuar së fundi me Espanjolin.

Ka edhe dy dyshime për ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën. Berat Gjimshiti është rikuperuar pas dëmtimit në dorë, por ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Atalantën. Mbrojtësi shtatlartë ka shanse që të jetë i grumbulluar, ndërkohë që mesfushori Amir Abrashi ka mundësi më të pakta, pasi nuk ka gjendjen e duhur fizike. Dëmtimi e ka lënë jashtë për një kohë relativisht të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë