Liga Profesioniste e Futbollit nuk ka gjetur ende gjuhën e përbashkët me Qeverinë për rinisjen e sportit më popullor në vend dhe bojkoti vazhdon prej javësh tashmë.
Megjithatë, edhe pse futbolli është ndalur, Liga jo. Ajo ka shpallur vendin vakant për një pozicion pune “specialist marketingu sportiv” për të promovuar aktivitetet e saj, ndeshjet e kampionatit, lojtarët dhe ekipet pjesëmarrëse nëpërmjet mbështetjes së markës Kategoria Superiore.
Mes detyrave që i ngarkohen specialistit të marketingut është gjithashtu edhe reklamimi i sponsorëve në ndeshjet e futbollit përmes banderolave, posterave në veshjet e lojtarëve dhe në media.
“Për të qenë i suksesshëm si specialist i marketingut sportiv duhet të ketë njohuri shumë të mira të industrisë sportive dhe markave që janë të interesuara të ndërtojnë marrëdhënie me ekipe ose lojtarë. Specialisti i marketingut sportiv do të kryejë kërkime të hollësishme në trendet e marketingut”, thotë Liga Profesioniste.
Njoftimi për këtë vend të lirë pune është publikuar këtë të mërkurë. Por, a është ky një sinjal i fundit të bojkotit dhe rifillimit të kampionatit shumë shpejt? Që specialisti i marketingut të punojë, atij i duhen ndeshjet, që për momentin s’ka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.