Fryma e Krishtlindjes. Në raundin e 1/16 e Kupës së Gjermanisë, Dynamo Dresden, aktualisht në kategorinë e tretë, priti në shtëpi Darmstadt (një klub që luan në divizionin e dytë). Për ndeshjen, u shitën 72.112 bileta, në një stadium që përmban pak më shumë se 30 mijë. Ndonëse është diçka e pazakontë në ketë periudhë, sidoqoftë rregullat e sigurisë u respektuan plotësisht. Por si? Stadiumi, në fakt, mbeti rreptësishtë i zbrazët. Ndeshja u luajt, si zakonisht në këtë periudhë, fatkeqësisht me dyer të mbyllura. Por, me një llogari të shpejtë, më shumë bileta janë shitur vetëm në dy raste në historinë e Dinamos.
Në futboll, kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka vënë veçanërisht në vështirësi klubet e kategorive inferiore. Aty, të ardhurat nga biletat janë frymëmarrja e çdo shoqërie. Pothuajse një vit pas mbylljes së stadiumeve (megjithëse në Gjermani u rihapën për një periudhë në fillim të sezonit), të ardhurat e humbura kanë filluar të peshojnë. Dynamo Dresden ka vendosur kështu që gjithsesi të nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kundër Darmstadt. Një gjest simbolik i solidaritetit, i cili ishte shumë i suksesshëm në Krishtlindje. Me 72,112 bileta të shitura (me 5 euro secila) klubi grumbulloi kështu 360,560 euro. “Ka njerëz që kanë investuar kohë dhe para për të na treguar afërsinë e tyre edhe tani – nënvizoi Markus Kauczinski, trajner i Dinamos -. Është diçka vërtet shumë e veçantë ”.
Pas transfertës evropiane në Beograd në 1991 (95,000 spektatorë të pranishëm) e asaj në Dortmund në 2011 (73,100 spektatorë), kjo është ndeshja e tretë në historinë e klubit të Dresdenit, për të cilën janë shitur më shumë bileta ndonjëherë, por e para për ndeshjet në shtëpi. Dy gjëra nuk shkuan siç duhet në mbrëmje: për shkak të erës, klubit iu desh të hiqte dorë nga koreografia me 30,000 tullumbace: ekzistonte frika se mund të fluturonin në fushë dhe të pengonin mbarëvajtjen e ndeshjes. Edhe rezultati i ndeshjes ishte gjithashtu i keq: Dinamo humbi 3-0. Pavarësisht kësaj klubi dhe tifozët mund të buzëqeshin. Me shpirtin e Krishtlindjes ata arritën të dërgonin një mesazh të bukur dashurie dhe solidariteti. Duke u futur në histori me atë që do të mbetet ndeshja me më shumë bileta të shitura për ndeshjet në shtëpi të Dinamos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




