Milani ka humbur 2-0 në fushën e Specias dhe sot rrezikon të humbasë edhe kryesimin e Serisë A, nëse Interi mund Lacion në mbrëmje. Mbrojtësi i Kombëtares, Ardjan Ismajli, ka bërë një ndeshje të madhe ndaj Milanit, duke fituar shumicën e dyluftimeve me Ibrahimoviç me shokë.
Ismajli ishte titullar në këtë ndeshje, ku ashtu si dhe disa javë më parë ndaj Interit, ka bërë një paraqitje të një niveli të palqyeshëm. Vlerësimet e shtypit sportiv italian kanë qenë të larta për futbollistin kuqezi, i cili gradualisht po shfaq vlerat më të mira në Serinë A. Deri tani shtatlarti nuk është aktivizuar rregullisht titullar me Specian, por me paraqitjen ndaj Milanit me siguri ai ka fituar kredite në sytë e trajnerit Italiano.
Protagonist në kampionatin italian ishte edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, titullar ndaj Juventusit. Ai fitoi penalltinë që u kthye në gol nga Insinje dhe vendosi këtë ndeshje. Edhe trajneri Gatuzo e ka vlerësuar me nota maksimale paraqitjen e Rrahmanit ndaj Juventusit. Aktivizimin e pakët të mbrojtësit kosovar ai e ka argumentuar me faktin se Napoli ka në qendër të mbrojtjes lojtarë si Manolas dhe Kulibali, të cilët është vështirë të lihen jashtë formacionit.
Seria A kryesohet nga Milani me 47 pikë, i indjekur nga Interi me 45 dhe Juventusi me 42.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.