Nga Gazeta Si- Në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, që zhvillohet më 7 qershor në orën 20:45, policia ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e saj.
Rreth 2000 forca policie do të jenë të angazhuara për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH.
Gjatë të shtunës, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Para futjes në stadium do të ketë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve që të mos futen banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarre, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues të celularëve, mjete/produkte për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu, policia apelon për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi do të përdoren pajisje anti-dronë.
Policia thotë se hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Ligji gjithashtu e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.