Ngjarje

Ndeshja Shqipëri-Gjeorgji, policia publikon masat dhe rrugët që do të bllokohen

Gazeta Si – Në prag të ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji, e cila luhet këtë të martë në stadiumin “Air Albania”, disa rrugë në Tiranë do të jenë të bllokuara.

Këto masa janë marrë nga policia e Tiranës dhe do të nisë nga ora 15:00 e ditës së sotme deri në përfundimin e ndeshjes.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

* Rruga “Papa Gjon Pali II”;

* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Themistokli Gërmenji”;

* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Ndërkohë hyrja e tifozëve në stadium do të nisë prej orës 18:00. Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit nga kjo orë pasi për shkak të fluksit pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

“Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pre e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”, njoftoi policia.

Ndërkohë si pjesë e planit të masave do të ushtrohet kontroll i imtësishëm ndaj tifozëve para futjes në stadium.

“Me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë