Shqipëria ka pësuar humbje me rezultat 2-1 ndaj Italisë në ndeshjen hapëse të tyre në Kampionatin Evropian e vlefshme për grupin B, por ishin disa gjëra që dolën nga kjo përballje.
Nedim Bajrami shënoi pas 23 sekondash, duke arritur një rekord i ri i të gjitha kohërave në Kampionatin Evropian. Megjithatë, Alessandro Bastoni dhe Nicolo Barella shënuan për të kthyer ndeshjen në favor të Italisë. Më poshtë po ju sjellim disa nga statistikat dhe rekordet më të veçanta nga kjo ndeshje.
1/ Goli i Nedim Bajramit, futet në librat e historisë
Shqipëria ishte e para që kaloi në epërsi ndaj Italisë, me golin e shënuar nga Nedim Bajrami që në minutën e parë.
Goli u shënua në sekondën e 23-të nga Bajrami, që është goli më i shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane.
Bajrami ka thyer rekordin për golin më të shpejtë ndonjëherë që e mbante Dmitri Kirichenko prej 67 sekondash, të vendosur në ndeshjen Rusi – Greqi në vitin 2004.
2/ Nicolo Barella tejkalon Francesco Tottin për gola me Italinë
Nicolo Barella shënoi në mesin e pjesës së dytë për rezultatin 2-1, pasi më parë kishin shënuar Nedim Bajrami dhe Alessandro Bastoni.
Goli ndaj Shqipërisë ishte i nëntëi për Barellan, duke tejkaluar një legjendë si Francesco Totti, për numrin e golave.
Barella konsiderohet si lojtari kryesor i Italisë në këtë Kampionat Evropian.
3/ Italia merr fitore për herë të pestë në histori në ndeshjen hapëse
Fitorja e sotme e Italisë ndaj Shqipërisë me rezultat 2-1, ishte e pesta e italianëve në ndeshjet hapëse në Kampionatet Evropiane.
Italia ka fituar ndeshjen e parë edhe nga viti 1996, kur Italia mposhti Rusinë me rezultat 2-1.
Në vitin 2000 erdhi fitorja ndaj Turqisë me rezultat 2-1, ndërsa në vitin 2016, Italia mposhti Belgjikën me rezultat 2-0.
Turqia ishte sërish viktimë e saj në vitin 2020, kur u shpallën kampion, duke e mposhtur me rezultat 3-0.
4/ Paraqitja e jashtëzakonshme e Riccardo Calafiorit
Lojtari që mori vëmendjen e madhe në ndeshjen Itali – Shqipëri, ishte mbrojtësi i Bolognas, Riccardo Calafiori.
Ai fitoi duelet në ajër në 100 përqind, ku nga tri sa kishte i fitoi të trija. Ai kishte 117 prekje, ndërsa kompletoi pasimet në 93 përqind, nga 106 sa tentoi, kompletoi 99.
Calafiori po ashtu fitoi topin ndaj lojtarëve të Shqipërisë plotë pesë herë, duke realizuar edhe dy goditje dhe dy prekje në zonë. Paraqitje për t’i hequr kapelën.
5/ Dominimi kuqezi në tribuna
Shqipëria nëse nuk fitoi në fushë, fitoi në shkallët e stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit në përballje me Italinë.
Mbi 50 mijë shqiptarë ishin në shkallët e tribunave, ku gjatë gjithë kohës shihej dominimi i ngjyrës së kuqe.
“O sa mirë me qenë shqiptarë oe oe”, ishte fraza që u dëgjua më shumë, ndërsa lojtarët i përshëndetën tifozët para dhe pas ndeshjes. /Telegrafi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.