Treg

Ndërtuesit letër qeverisë: Të lejohen betonieret gjatë ditës në Tiranë. Kufizimet po na dëmtojnë

Shoqata e Ndërtuesve kërkon nga policia që të lejojë gjatë orëve të ditës qarkullimin e betoniereve në Tiranë, duke deklaruar kufizimet aktuale po u vështirësojnë aktivitetin dhe ndikojnë në cilësinë e ndërtimit.

“Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj procesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe procese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 orë e më tepër. Lënia në gjysmë e një bazamenti, strukturave mbajtëse, ose e soletave është teknikisht e ndaluar pasi dëmton qendrushmërinë e objektit”, thuhet në kërkesën që Shoqata e Ndërtuesve i ka dërguar ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Prej kohësh është në fuqi një vendim që për të lehtësuar trafikun në Tiranë, gjatë ditës Policia Rrugore e kryeqytetit nuk lejon lëvizjen në kryeqytet të mjeteve të tonazhit të rëndë, përfshirë këtu edhe betonieret që përdoren nga kompanitë e ndërtimit për hedhjen e betonit.

Shoqata kërkon që të lejohet të transportojë dhe hedhë beton gjatë ditës, duke shtuar se kufizimet në orar për qarkullimin po u rrit edhe kostot e ndërtimit.

“Gjithashtu, betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë. Betoni transportohet me makineri të cilësuara si makina teknologjike (autobetoniere), ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër. Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës”, thuhet në kërkesën drejtuar ministrit Çuçi, Kryeministrit Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë