Biznes

Ndërtuesit, borxhlinjtë më të mëdhenj. Huatë e ndërmarrjeve shqiptare u rritën gjatë fillimit të 2024-s

Nga Gazeta 'SI' - Me anë të një ankete me 1.355 ndërmarrje në vend, Banka e Shqipërisë gjeti se ngarkesa me borxh e tyre është rritur përgjatë 6-mujorit të parë 2024.  

37% e ndërmarrjeve në anketim, kanë pranuar se kanë një hua për të paguar, me rritje tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por me rënia tek ato të mëdha. Për 92% të rasteve, banka është burimi kryesor i financimit të bizneseve, aq sa edhe një vit më parë. Përdorimi i burimeve formale të financimit ka qenë në rënie tek ndërmarrjet e vogla, i pandryshuar tek ndërmarrjet e mesme dhe disi në rritje tek ato të mëdha.

5% e ndërmarrjeve kanë përdorur kombinim të burimeve të financimit, dhe 4% burime informale, ku futen borxhet nga një person fizik, apo mall i papaguar.

Kombinimi i burimeve është përdorur nga 5% e totalit të ndërmarrjeve dhe 4% burime informale.

Në ndarjen sipas sektorëve, pesha e ndërmarrjeve huamarrëse vijon të jetë më e lartë në sektorin e ndërtimit (46% e totalit të sektorit), ndjekur nga sektori i tregtisë (43% e totalit të sektorit), dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve (27%). Me përjashtim të sektorit të tregtisë, të tre sektorët e tjerë rezultojnë të kenë rritje të peshës së ndërmarrjeve huamarrëse krahasuar me periudhën e kaluar.

Vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për rreth 81% të ndërmarrjeve huamarrëse, pothuaj e njëjtë me vlerën e kapitalit për 12% të tyre, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 7% deklarojnë se kjo vlerë e tejkalon vlerën e kapitalit. Ky raport ka rezultuar në rritje krahasuar me periudhën paraardhëse, veçanërisht në rastin e ndërmarrjeve të mesme, ku rreth 21% e tyre shprehen se huaja është e barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit.

Ndërsa “aksesi në financim” është përmendur si një pengesë në rritje për bizneset, 19% e ndërmarrjeve deklarojnë se aksesi i financimit në bankë u duket i vështirë, 4%4% mendojnë se kërkesa e tyre nuk do të miratohet dhe 8% e vlerësojnë më të lehtë huamarrjen nga burime të tjera.

Huamarrja e ndërmarrjeve është realizuar kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe për kryerjen e një investimi afatgjatë.

Anketa tregon se bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri, konsiderojnë probleme kryesore konkurrencën dhe koston e punës, ndërsa bizneset e mëdha, kostot e financimit dhe përshtatjen me ligjin.

BSH raporton se vetëm 21% e këtyre ndërmarrjeve përdorin euron, me rritje 4 p.p nga një vit më parë. Ndërmarrjet e mëdha vijojnë të kenë peshën më të lartë të përdorimit të valutës në veprimtarinë e tyre, 34%, pasuar nga ndërmarrjet e mesme, 20%. Në rastin e ndërmarrjeve të vogla, vetëm 10% e tyre deklarojnë se e kryejnë veprimtarinë në valutë, ndërsa pjesa tjetër operon në lekë (rreth 71% e tyre) ose kombinim i lekut dhe valutës (19% e tyre).

Sinjalet vijojnë të jenë optimiste lidhur me zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por paraqesin ngushtim për grupin e ndërmarrjeve të mëdha.

Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm për nivelin e shitjeve të përgjithshme dhe rezultatin financiar rezultojnë pozitive, dhe më optimiste krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por duke mbetur nën vlerat e një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë