Nga Gazeta ‘SI’ – Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i ka dërguar një letër qeverisë ku thotë se masat e marra, i kanë shkaktuar atyre 60 mijë euro dëm, deri më tani.
Drejtuar ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, në letrën e Shoqatës thuhet se ndërtuesit nuk mund të punojnë dot as ditën e as natën, pasi njëherë i ndalon Bashkia dhe njëherë Policia.
Shoqata shprehet se edhe pas kërkesave të vazhdueshme të bëra, nga Bashkia Tiranë është ndaluar qarkullimi i mjeteve të ndërtimit gjatë ditës. Si rezultat i këtij ndalimi, shoqëritë punojnë natën. Por edhe ky veprim sjell pengesë duke sjellë përplasje mes Policisë së Rendit dhe punonjësve. Pasi sipas tyre, policia e rendit paraqitet në objektet ku punohet dhe ndalon makineritë që të vijojnë process normal duke sjellë një bllokim të punës në tërësi.
Ndërtuesit thonë se ndalimi i punimeve në një process të nisur betonimi ka shkaktuar një dëm prej 50 mijë eurosh, ndërsa ndalimi i betoniereve dhe bllokimi i tyre ka shkaktuar një tjetër dëm prej 10 mijë eurosh.
Në kërkesën e saj, Shoqata i kërkon një bashkëpunim mes ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë Tiranë, si dhe bashkisë Tiranë që të hartojnë një plan veprimesh të qartë dhe pa hapësira e keqinterpretime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.