Ka ndodhur

Ndërtimet pa leje në zonën e Farkës, pezullohen për 30 ditë katër zyrtarë të Komisariatit nr. 1

Nga Gazeta Si - Katër zyrtarë të Komisariatit nr. 1 në Tiranë janë pezulluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkak të ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës në Tiranë, duke përfshirë këtu lejimin e ndërtimit të pallatit 9-katësh të Lul Morinës.

Mes të pezulluarve për 30 ditë është edhe Bujar Mehmeti, shef i komisariatit nr. 1. AMP ka marrë masën e pezullimit edhe ndaj Nazmi Karecit, polici që mbikëqyr zonën, Alban Ramës, inspektori i krimeve që mbulon zonën si dhe Flamur Sulës, shef i Postës Farkë.

Vendimi ka ardhur një ditë pasi, Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë ka nisur një hetim për shkelje të rëndë, duke vënë në shënjestër 4 punonjës të policisë, pasi dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë marrë masa për parandalimin e paligjshmërisë.

Këto hetime vijnë pas akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se ka policë dhe shefa komisariatesh që kanë lejuar të ndërtohen pallate pa leje.

Ndërkohë që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka raportuar për dhjetëra raste për ndërtime pa leje, por nga ana tjetër në pjesën më të madhe të tyre nuk janë marrë masa nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë