Ka ndodhur

Ndërtimet pa leje në bregdet, ‘shkrihet’ IMT në Himarë! Shemben disa objekte në Jalë e Dhërmi

Gazeta Si – Pesë punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe drejtuesi i kësaj drejtorie në Bashkinë e Himarës janë pezulluar mëngjesin e kësaj të hëne me vendim të kryetarit të bashkisë së qytetit bregdetar, Vangjel Tavo.

Sipas informacioneve paraprake, shkak për këtë vendim është bërë lejimi i një sërë ndërtimesh dhe objektesh pa leje në Drimadhe, Jalë dhe Dhërmi.

Burime paraprake, bëjnë me dije se kjo njësi, që ka në fokus mbrojtjen e terrenit nga ndërtime të paligjshme dhe abuzime, ka bërë të kundërtën e asaj që ligji dhe rregullorja i përcakton, duke abuzuar me detyrën

Lidhur me këtë para disa ditësh pati edhe disa procedime. Mbrëmjen e së dielës, në orën 20:00, mësohet se IKMT prishi 4 struktura në Jalë, të cilat kanë qenë pa leje dhe nuk ka pasur kundërshtime.

Ndërkohë që këtë të hënë në Dhërmi, ka nisur puna për prishjen e 5 objekteve të tjera. Mësohet se kishte nisur ndërtimi i kapanonëve që do të shërbenin për mbajtjen e materialeve për ndërtimet që do bëheshin më pas. Objektet pa leje, janë me konstruksion hekuri dhe druri, kryesisht bare, beach bare, njësi shërbimi.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim zyrtar nga ana e institucionit mbi shkaqet që çuan në shkrirjen e një strukture që duhet të jetë në terren për të konstatuar të gjitha shkeljet


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë