Para

Ndërsa kriptomonedhat ‘bien’, BQE po teston ‘euron digjitale’

Banka Qendrore Europiane (BQE) po teston euron digjitale, por nuk do ta prezantojë atë përpara fundit të vitit 2026, tha anëtari i bordit ekzekutiv të Bundesbank, Burkhard Balz.

“Deri në fund të periudhës së provës, vjeshtën e ardhshme, Këshilli i BQE-së, në bashkëpunim me ligjvënësit europianë, do të vendosë për fazën e zbatimit të euros digjitale”, tha Balz në një konferencë në Frankfurt.

Monedha digjitale mund të përdoret pas kësaj, por “jo para vjeshtës 2026”.

Në korrik të vitit të kaluar, BQE vendosi të nisë një rishikim dyvjeçar të kushteve për digjitalizimin e euros, duke përfshirë kushtet teknologjike dhe ligjore, për shembull ato për mbrojtjen e të dhënave, dhe vetëm më pas të marrë një vendim.

Nëse ka një të tillë, euro digjitale do të jetë vetëm një variant i parave të gatshme, i cili sigurisht do të mbetet në qarkullim. Digjitalizimi i euros është një përgjigje e mundshme ndaj kriptomonedhave si Bitcoin dhe Ethereum, por me avantazhin e stabilitetit pasi do të jetë nën autoritetin e një Banke Qendrore.

Zgjidhjet e pagesave të digjitalizuara janë tashmë në domenin e kompanive të teknologjisë së lartë.

“Përkundrazi, euroja e digjitalizuar mund t’u ofrojë qytetarëve një mjet pagese të qëndrueshme”, tha Balz.

Përveç BQE-së, mundësitë e digjitalizimit të monedhave janë duke eksploruar edhe disa banka të tjera qendrore.

Fabio Panetta, një anëtar i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane komentoi gjithashtu mbi paqëndrueshmërinë e fundit të tregut për kriptovalutat.

“Zhvillimet e fundit në tregun e kripto-aseteve ilustrojnë se është një iluzion të besohet se instrumentet private mund të veprojnë si para kur ato nuk mund të konvertohen në të njëjtin nivel në para publike në çdo kohë,” tha Panetta.

“Megjithë pretendimet se kriptot janë një formë e besueshme e monedhës pa kontroll publik, ato janë shumë të rrezikshme për të vepruar si një mjet i besueshëm pagese. Ata sillen më shumë si asete spekulative dhe ngrenë shqetësime të shumta të politikave publike dhe stabilitetit financiar”, tha ai.

Burimi: Coin Telegraph; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë