Bota

Ndërron jetë pastori 39-vjeçar, tentoi të agjëronte për 40 ditë si Jezui

Gazeta Si – Nuk ishte hera e parë që 39-vjeçari dhe besimtarët e tjerë ndiqnin këtë praktikë, duke u privuar nga ushqimi dhe uji, por deri tani guida shpirtërore nuk kishte zgjatur kaq shumë.

Në Mozambik një pastor i kishës evangjeliste ka ndërruar jetë, pasi tentoi të agjëronte për 40 ditë, duke dashur të imitonte Jezuin. Francisco Barajah, themelues i kishës në qytetin e tij, humbi jetën pasi u transportua me urgjencë për në spitalin e qytetit Beira, në gjendje kritike.

Pas 25 ditësh pa ujë dhe ushqim, ai humbi aq shumë në peshë sa nuk ishte në gjendje të ecte. Vetëm falë insistimit të familjarëve dhe besimtarëve ai pranoi të shkonte në spital, ku u diagnostikua me anemi të rëndë dhe kolaps të organeve jetësore. Mjekët bënë gjithçka për ta shpëtuar, duke i dhënë ushqim në formë likuide, por ishte tepër vonë dhe 39-vjeçari ndërroi jetë të mërkurën.

Nuk ishte hera e parë që pastori Barajah agjëronte. Ai ishte edhe mësues i gjuhës franceze në qytezën e Messica, në provincën qendrore të Manica, mes Mozambikut dhe Zimbabves. Sipas pjesëtarëve të kishës së themeluar nga vetë ai, pastori kishte agjëruar edhe herë të tjera, por jo kaq gjatë.

Kjo praktikë, siç shkruan Bbc, ka shkaktuar shumë vdekje. Agjërimi për 40 ditë, siç është shkruar në Bibël, është një praktikë e përhapur jo vetëm në Mozambik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë