Deputeti socialist, Bashkim Fino ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare për shkakt ë Covid.
Prej disa ditësh gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.
Bashkim Fino u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar gjatë trazirave të vitit 1997 dhe më pas prej disa legjislaturash ishte deputet i socialistëve në Kuvend.
Ndërkohë, Qeveria shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare, ndërsa aktivitetet elektorale i anuloi edhe Partia Demokratike që kryetari i saj, Lulzim Basha kishte parashikuar për të zhvilluar në qarkun e Fierit.
Homazhet dhe nderimet e fundit për Bashkim Finon do të kryhen në Pallatin e Kongreseve nga ora 12:00 deri në orën 16:00.
Ndërkohë, politika shqiptare, ka shprehur vlerësime maksimale për figurën e Finos.
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar homazhe në nderim të deputetit dhe ish kryeministrit socialist në Pallatin e Kongreseve.
“Padyshim që Bashkim Fino është një nga miqtë e mi më të mirë dhe do të mbetet për arsye se në një moshë shumë të re u nda. Ishte një figurë frymëzuese kur ishte Kryetar Bashkie në Gjirokastër në një moshë aq të re. Ajo ishte baza e shumë kandidaturave në atë vit të çmendur për të krijuar një qeveri të pajtimit. Detyrë që ai e bëri në një mënyrë të jashtëzakonshme, pasi të gjithë e dinë sesa i ndarë dhe i polarizuar ishte vendi, – u shpreh Meta. – Ishte shumë njerëzor, shumë bujar dhe zemërgjerë. Ishte tolerant dhe dallonte politikën nga raportet njerëzore”, – shtoi ai, duke familjen të ndjerit.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dhënë lamtumirën e fundit deputetit socialist. Ruçi, pas homazheve në nder të Finos, e vlerësoi atë si një nga personazhet më me kontribute në politikën shqiptare.
“Do ta kujtoja si një njeri buzagaz dhe me zemër të madhe për bashkëshorten, djalin dhe vajzën. Do ta kujtoja si njeri me zemër të madhe në familjen e tij politike, PS. Do ta kujtoja si legjislator, si një pushtetar nga kryerar bashkie, kryeministër dhe zv kryeministër. Do ta kujtoja si një njeri zemër madh edhe me kundërshtarët e tij politike. Jam këtu për ta kujtuar, si mik, si vëlla, si shok, si bashkëudhëtar, si shqiptar. Do të na mungojë shumë, mezi e prisja që t’i bashkohej ekipit të Fierit ja që s’qe e thënë. Lamtumirë i dashur”, tha Ruçi para mediave.
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë marrë pjesë në homazhet që po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.
Teksa vizitoi familjarët e Arjan Salës për t’u dorëzuar titullin “Dëshmor i Atdheut”, Rama ka folur dhe për ndarjen nga jeta të deputetit socialist.
Ndërsa e ka cilësuar si një njeri shumë të veçantë, Rama tha se Fino kishte kaluar një operacion të vështirë para ca kohësh dhe nuk mundi ta fitonte betejën me COVID. “Sot na ndodhi dhe vdekja e atij shokut tonë, Bashkimit. Ai kaloi një operacion të vështirë para ca kohësh. COVID-in nuk e përballoi. Ishte i veçantë shumë, shumë njeri i dashur, ça të bësh. Shumë njeri i dashur, i butë. Të gjithë kemi ardhur për të ikur. Varet çfarë gjurme lëmë”, tha Rama.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur pas homazheve që ka kryer në Pallatin e Kongreseve në nder të deputetit socialist Bashkim Fino.
Balla tha se PS humbi sot një njeri të veçantë, duke theksuar se fjalët për të sot janë të pakta.
“PS humbi sot një njeri tepër të veçantë, i cili në 26 vitet e fundit ka një kontribut të veçantë si një kryetar bashkie model dhe më pas mori përsipër të drejtonte qeverinë e pajtimit kombëtar, që ka një meritë të veçantë dhe më pas si zv/kryeministër, – vijoi numri dy i Partisë Socialiste. – Ajo që do na mungojë gjithmonë, është një këshillë e një miku të veçantë. Betejat fitohen, por edhe nuk fitohen. Edhe pse e kaloi një pjesë të betejës me COVID-in, nuk e çoi dot deri në fund. Sfida jonë është që betejën me COVID ta çojmë deri në fund”, – tha Balla.
Homazhe në nder të tij, zhvilloi edhe kreu i Opozitës Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja.
Më herët përmes një mesazhi në “Twitter”, kryedemokrati shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Finos, duke shprehur bindjen se kontributi i tij në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm për stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit.
Ngushëllime familjes Fino, i ka shprehur edhe ambasada amerikane në Tiranë.
Përmes një deklarate, selia diplomatike amerikane në vendin tonë, shkruan se Bashkim Fino do të kujtohet për udhëheqjen, në moshë fare të re, të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997 e gjithashtu për kontributin e tij në proceset ligjbërëse gjatë karrierës së tij.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron t’i përçojë ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të z.Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta sot në mënyrë të parakohshme. Z.Fino do të kujtohet për udhëheqjen, në moshë fare të re, të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997 e gjithashtu për kontributin e tij në proceset ligjbërëse gjatë karrierës së tij të larmishme politike. U prehtë në paqe”, – thuhet në mesazhin e ambasadës.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore Italiane e lajmeve, ANSA, ka publikuar sot në faqen e saj, lajmin e ndarjes nga jeta për shkak të Covid-19 të politikanit shqiptar Bashkim Fino.
ANSA vlerëson rolin e Finos në drejtimin e shtetit në një periudhë të vështirë për Shqipërinë, si ajo e trazirave të vitit 97’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.