Ngjarje

Ndërron jetë në spital 12-vjeçari, dyshohet se pësoi arrest kardiak, familjarët: Ishte i shëndetshëm

Nga Gazeta Si – Një 12-vjeçar nga fshati Pocestë ka ndërruar jetë në spital në Tiranë pasi ishte dërguar nga Korça për shkak të problemeve shëndetësore.

Dyshohet se 12-vjeçari ka pësuar arrest kardiak. I mituri është shtruar dy herë në spital për shkak të problemeve shëndetësore. Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Korçës, 12-vjeçari ka shkuar në spital rreth 10 ditë më parë me simptoma gripi dhe pasi është mbajtur nën kujdesin e mjekëve gjendja e tij është përmirësuar dhe ka dalë nga spitali.

Më pas ai është shoqëruar përsëri nga familjarët në spital pasi kishte të vjella dhe nga analizat ka rezultuar se kishte gliceminë e rritur ndaj dje në mëngjes është dërguar drejt Tiranës ndërsa mbrëmjen e kaluar ka pësuar arrest kardiak.

Familjarët jashtë kamerave kanë deklaruar se i mituri ka qenë i shëndetshëm dhe nuk ka pasur probleme shëndetësore.

Ata hedhin akuza ndaj mjekëve teksa shtojnë se pasi e kanë sjellë në Tiranë, djali është shtuar në pavionin e Covid, ndërsa thonë se ai duhej të ndiqej në reanimacion.

“Djali ka qenë i shëndetshëm, nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor më parë, merrej me aktivitet sportiv. Në fund të dhjetorit ka shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, me të vjella dhe temperaturë të lartë, është trajtuar në spitalin e Korçës në reanimacion. Ditën e djeshme e kemi çuar urgjent në Tiranë dhe na e shtruan në pavionin e Covid, djali jonë nuk ishte për aty, ata duhet ta ndiqnin në reanimacion”, tregojnë familjarët, duke shtuar se u shtrua aty dhe filloi të kishte të vjella të pandërprera.

“Ja komunikoja këtë infermieres dhe më thoshte ‘nuk ka mundësi. Djalin nuk e trajtuan siç duhej, në një moment ai shtrëngon gjoksin fort, aty e marr në krah për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë dhe rrugës djali më mbaroi në krahë. Ajo çfarë na thanë mjekët është se pësoi arrest kardiak, a mundet që nga një virozë djali të humbasë jetën?”.

Familjarët thonë se i mituri nuk vuante as nga diabeti, as nga zemra por nga mjekimet e shumta diabeti ditën e fundit i shkoi 200.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen policia është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të ngjarjet me dëshmitë e marra nga familjarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë