Ngjarje

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare Papa Françesku

Nga Gazeta Si- Papa Françesku u kthye në shtëpinë e Atit! Ishte Kardinali Farrell ai që ka njoftuar vdekjen e Papës në Vatikan. “Në 7:35 peshkopi i Romës u kthye në shtëpinë e Atit”, njoftoi ai.

Papa Françesku vdiq sot, të hënën, 21 prill. Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pasi ishte shtruar në spitalin Gemelli.

Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe është shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi. Më pas kreu turneun mes turmës për të përshëndetur besimtarët.

Që prej shkurtit, Papa ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, duke u shtruar disa herë në spital për shkak të problemeve me bronkitit. Jo pak herë gjendja e tij u përkeqësua por mjekët çdo herë arritën ta mbanin në jetë, deri ditën e sotme.

Mesazhin e tij të fundit për besimtarët në mbarë botën e dha të Dielën e Pashkëve edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Mendoj për popullin e Gazës dhe komunitetin e saj të krishterë në veçanti, ku konflikti i tmerrshëm vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim dhe të krijojë një situatë dramatike dhe të mjerueshme humanitare”, ishin fjalët e tij.

Ati i Shenjtë u shtrua në Spitalin e Romës në shkurt të këtij viti. Probleme shëndetësore ai kishte paraqitur edhe në 2023-in, kohë kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pritet që funerali i tij të bëhet maksimumi 6 ditë më vonë. Më pas, kardinalët mblidhen në Kapelën Sistine në Vatikan për zgjedhjen e pasardhësit. Ky i fundit zgjidhet të paktën 15 ditë nga vdekja e Papës.

Në udhëtimin e tij të parë në Europë, Papa Françesku vizitoi Shqipërinë më 21 shtator 2014, ku ai u ndal në Tiranë ku mbajti edhe një meshë të shenjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë