Ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Lazarat, Razip (Gate) Mahmutaj, i konsideruar si kreu i një grupi kriminal në vitin 2014.
Ai ndodhej prej disa vitesh në burg pas arrestimit gjatë operacionit kundër kultivimit të kanabisit në Lazarat para 7 vjetësh.
Gate Mahmutaj vuante nga një sëmundje e rëndë dhe vetëm pak ditë më parë ishte nxjerrë nga qelia, duke u dërguar pranë familjes për të kaluar ditët e fundit të jetës së tij.
Mahmutaj u akuzua nga prokuroria se ishte kreu i grupit të Lazaratit, i cili organizonte kultivimin e kanabisit si edhe rezistencën ndaj Forcave Speciale RENEA.
Ai ishte dënuar me 18 vite burgim për akuzat e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe kultivim të bimëve narkotike.
Në qershor të vitit 2014, Policia e Shtetit organizoi një operacion të madh kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Lazarat të Gjirokastrës.
Gjatë mësymjes policore, Razip Mahmutaj ndodhej në një nga lokalet në qendër të fshatit Lazarat.
Në momentin që forcat e policisë hynë në lokal, duke bërë thirrje ”Kontroll, policia”, personat që ndodheshin aty kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri.
Brenda pak çastesh edhe persona të tjerë nga jashtë lokalit filluan të qëllojnë në drejtim të policisë.
Duke vlerësuar situatën mjaft kritike, forcat RENEA janë detyruar t’u përgjigjen me armë sulmeve, veçanërisht të atyre që ndodheshin në lokal.
Pasi kanë arritur t’i neutralizojnë, RENEA ka kapur shtetasin shumë të kërkuar Razip Mahmuti, i njohur me nofkën “Gate”, i cili ishte njëri prej atyre që po qëllonin me armë ndaj policisë.
Personat e tjerë të ndodhur në lokal, të cilët nuk kanë qenë objekt i ndërhyrjes së forcave RENEA, kanë mundur të largohen të ndihmuar dhe nga disa persona të tjerë të fshatit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, menjëherë sapo ata kanë nisur ndërhyrjen.
Gjatë operacionit u vra edhe efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha teksa automjeti me të cilin udhëtonte po ngjitej në njërën prej lagjeve të fshatit bashkë me kolegët e tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.