Një 3-vjeçare në Elbasan ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës pas disa orësh në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia thotë se e mituri me iniciale A.I., nga fshati Kusarth, është dërguar në Spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë, por pas disa orësh ka humbur jetën.
Sipas informacioneve paraprake, ajo ka shkuar me urgjencë në spital me temperaturë të lartë, ku i është dhënë ndihma me oksigjen.

E mitura ka qenë sëmurë prej disa ditësh dhe është trajtuar në kushte familjare. Por dje gjendja është përkeqësuar, ndaj prindërit e kanë sjellë në spital. Babai i vogëlushes, Agim Islami, tregon gjithë dinamikën e sëmundjes që nga vizita, mjekimi në shtëpi dhe rikthimi në spital.
“Vajza nuk ishte sëmurë asnjëherë. Para një jave pati problem shëndetësor dhe e dërguam në spital. Mjeku na tha që ka virozë. Dje u përkeqësua sërish dhe e sollëm në spital. I bën sërum dhe na vdiq. Kishte 8-9 ditë sëmurë me të njëjtën gjendje. Nuk e kuptoj as vetë se si ndodhi kjo”, tha ai duke theksuar se vajzën e kishte sjellë në spital me buzë të nxirë.
Sipas policisë, grupi hetimor ka kryer hetimet e para dhe tashmë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së të miturit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




