Gazeta Si- Një 56-vjeçar ka humbur jetën në dhomën e një hoteli në Maliq të Korçës mëngjesin e kësaj të enjteje, ku shkak dyshohet të jetë asfiksimi nga rrjedhja e gazit. Sipas policisë, viktima ka qenë i shoqëruar nga një grua, 49 vjeçare, e cila mbeti e lënduar.
Në një informacion paraprak për mediat, policia tha viktima ishte i shoqëruar nga një grua dhe si pasojë janë asfiksuar nga rrjedhja e bombolës së gazit në dhomën ku ishin akomoduar.
Ata u dërguan të dy në spital, por fatkeqësisht 56-vjeçari nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
“Mëngjesin e sotëm, në një hotel në qytetin e Maliqit, dyshohet se për shkak të rrjedhjes të gazit nga bombola për ngrohjen e dhomës ku ishin akomoduar, janë asfiksuar shtetasi B.T., 56 vjeç dhe shtetasja E. N., 49 vjeçe, banues në Tiranë. Të dy shtetasit u dërguan për ndihmë mjekësore, në spitalin e Korçës, ku 56-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa shtetasja E. N. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia në një informacion paraprak për mediat.
Nga burimet paraprake, mësohet se ata kanë kërkuar ngrohje shtesë në hotelin ku po qëndronin për shkak të temperaturave të ulëta dhe stafi i ka ofruar një bombol gazi me reflektor.
Dyshohet se ata i ka zënë gjumi dhe reflektori është fikur, ndërsa rrjedhja e gazit ka shkaktuar asfiksimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




