Gazeta Si – Familjarët e 59-vjeçarit, i cili ndërroi jetë në Devoll një ditë më parë, kanë reaguar lidhur me ngjarjen, duke hedhur poshtë çdo aludim apo pretendim për lidhje mes trajtimit dentar dhe humbjes së jetës së të afërmit të tyre.
Sipas burimeve paraprake, ata theksuan se nuk kanë asnjë ankesë apo pretendim ndaj stafit mjekësor të klinikës dentare, duke shtuar se sipas tyre, vdekja ka qenë pasojë e shkaqeve natyrale, të cilat ndodhën rastësisht pas vizitës dhe shërbimit dentar.
“Vdekja nuk ka lidhje me ndërhyrjen dentare. Ka qenë një ngjarje e rastësishme dhe për shkaqe të tjera shëndetësore”, kanë deklaruar të afërmit, duke theksuar se humbja e jetës ka ardhur nga probleme të natyrshme dhe jo si pasojë e ndonjë gabimi mjekësor.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se 59-vjeçari kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një familjare të tij.
Pas mjekimit dentar, ku iu bë një mbushje, ai është ankuar disa herë, për gjendjen shëndetësore duke thënë “S’jam mirë”.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt. Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha procedurat e trajtimit që i janë kryer në klinikë.
Deri më tani, nuk është konstatuar ndonjë element që lidhet me ndonjë problem nga ana e dentistit, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i saktë i vdekjes.
Për rastin është marrë në pyetje dentisti 36-vjeçar, i cili ka shpjeguar në polici procedurën e ndjekur në trajtimin dentar të 59-vjeçarit që ka ndërruar jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



