Gazeta Si – Sa më shumë afron fundi i sezonit, aq më shumë ndihet presioni për objektivin dhe dhuna në stadiume është më e shpeshtë. Sot ka përfunduar para kohe ndeshja mes Tërbunit dhe Turbinës në Kategorinë e Parë. Shkak u bë dhuna ndaj arbitrave, por që klubi pukjan e hedh poshtë.
Po luheshin minutat shtesë dhe rezultati ishte 1-1. Tërbuni shënoi një gol të dytë, por që u anulua për pozicion jashtë loje. Treshja e arbitrave, me kryesor Albano Stolajn, pas konsultës me zyrtarët e FSHF-së, sinjalizuan mbylljen e ndeshjes, pasi ishte goditur një nga anësorët.
Vendimi është kontestuar nga klubi pukjan, që më pas ka dalë në një qëndrim zyrtar, duke hedhur poshtë çdo akuzë për dhunë ndaj arbitrave, apo hedhje sendesh në fushë.
Tani mbetet të shihet se çfarë vendimi do të merret nga organet përkatëse të FSHF-së, por fakti që ndeshja quhet e papërfunduar për shkak të dhunës ndaj arbitrave, do të thotë se fitorja mund t’i takojë Turbinës në tavolinë. Disa ditë më pare ishte ndeshja mes Flamurtarit dhe Dinamos që pati kontestime të forta dhe reagim të dhunshëm nga tifozët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




