Teater

Ndërpritet këtë vit Festivali ndërkombëtar teatror i Butrintit, shkak mosfinancimi

Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint, një festival dinjitoz dhe që na përfaqësonte bukur në botë (i cili nisi në vitin 2000), këtë vit nuk do të zhvillohet.

Një prej festivaleve në skenën e të cilit kanë performuar ndër vite artistë shqiptarë dhe të huaj, këtë edicion për shkak të mosmbështetjes financiare nuk do të zhvillohet në Butrint.

Lajmi bëhet me dije nga drejtori organizativ Edmond Xhumari, që shprehet se festivali, ku edicioni i këtij viti quhej “Ringritja” do të ndërpresë rrugëtimin e tij.

“Pas shumë përpjekjesh stafi i festivalit, të edicionit të quajtur këtë vit ‘Ringritja’ e ‘Butrinti Summer Festival’, do të ndërpresë rrugëtimin e tij të gjatë pas 19 edicionesh, pasi nuk kishim mbështetjen e duhur financiare. Me shpresë që ta rikthejmë festivalin vitin e ardhshëm, që përkon me 20-vjetorin e tij”, shprehet drejtori organizativ i festivalit.

Festivali ndërkombëtar i teatrit, që nisi vite më parë ishte një prej ngjarjeve kulturore që pritej me shumë interes nga artistët, ku ndër vite në skenën e tij janë shfaqur dhe kryevepra teatrore.

Drejtori organizativ Edmond Xhumari shprehet se në festivalin që nisi në Butrit në vitin 2000 janë ulur në shkallët e gurta të tij afro 95 mijë spektatorë.

“Organizuar prej vitit 2000 në një nga vendet më madhështore të Mesdheut, në Teatrin Antik të Butrintit, në skenën magjike të Butrintit kanë pasur rastin të performojnë rreth 4500 artistë nga vendet pjesëmarrëse. Në shkallaret e gurta të teatrit janë ulur afro 95.500 spektatorë shqiptarë dhe të huaj”, shprehet Edmond Xhumari në reagimin e tij, që ka ndarë në rrjete sociale dhe disa foto ndër vite të festivalit.

Vepra nga Shekspiri, Sofokliu, autorë të tjerë të huaj, si dhe pjesë nga autorë shqiptarë ndër vite nuk kanë munguar në skenën e festivalit, por lajmi për moszhvillimin e këtij edicioni ka sjellë dhe reagime të artistëve të ndryshëm, që shprehen në rrjete sociale se është e trishtë kjo që po ndodh.

Festivali ndër vite

Pavarësisht problemeve që e kanë shoqëruar “Butrintin 2000”, që vijoi më pas “Butrinti Summer Festival”, festivali ka pasur jehonën e tij në jetën artistike të vendit tonë me emrat më në zë të artit shqiptar.

Në edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa të ndryshme teatrore si nga Italia, Franca, Anglia, Greqia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia, Shqipëria, etj.

“Zhvillimi i edicioneve të mëparshme të festivalit ishin pa mëdyshje një sukses i prekshëm, që për nga vlerat e gjithanshme krijuan një jehonë të jashtëzakonshme në qarqet e kulturës europiane”, thuhej më parë në faqen zyrtare të festivalit.

Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik.

Dy ditë më parë, në Teatrin Antik të Butrintit, u mbajt mbrëmja poetike “Yjet mblidhen në Butrint” nga Timo Flloko ku u bënë bashkë dhjetëra personazhe të njohur të botës së artit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë