Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka gati projektligjin për ndërmjetësimin në sektorin e pronave të paluajtshme, me anë të të cilit pretendon se do të luftojë pastrimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit.
Mbi përmbajtjen e projektligjit është njohur këtë javë edhe Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme. Ajo e kundërshton këtë propozim. Në një komunikim me Gazetasi.al, drejtori ekzekutiv i shoqatës, Reinaldo Pipiria rendit arsyet se pse.
“Projektligji e vendos sektorin në një vështirësi të palogjikshme, sepse i heq pavarësinë këtij sektori, që ka 25 vite që funksionon me sfidat dhe të mirat e veta, duke i thënë një pushtet të paarsyeshëm rolit të ekzekutivit dhe të ministrit të Drejtësisë. Në disa nene, neni 26 si shembull, projektligji kalon mbi gjykata. Domethënë, ka anjë komision disiplinor, i cili edhe pse ka një vendim gjykate në favor të ndërmjetësit, prap Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të vazhdojë hetimin disiplinor dhe t’i heqë licencën”, thotë ai.
Shoqata e Ndërmjetësuesve e mirëkupton nevojën për të luftuar pastrimin e parave, por thotë se projektligji është i hartuar keq dhe kryefjalë ka penalizimin e sektorit, që për më tepër, sipas kreut të kësaj shoqate është aktualisht subjekt i legjislacionit në fuqi për pastrimin e parave.
“Në dritën e disa statistikave, ku sektori ynë ka 8 deri në 10 për qind të të gjitha transaksioneve për kalimin e pronësisë dhe pasurive të paluajtshme është totalisht një barrë e madhe që mbingarkon këtë sektor, ndërkohë që ky është një nga aktorët dhe nuk është aktori kryesor. I kuptojmë të gjitha meraqet për pastrimin e parave, por ne jemi tashmë pjesë e kuadrit rregullator të pastrimit të parave. Jemi shoqëri tregtare, raportojmë në drejtoritë përkatëse të pastrimit të parave për transaksione mbi nivelin e caktuar të pasurive të paluajtshme, por tani na vendosin edhe një ligj tjetër që frymën kryesore ka heqjen e licencës, kërcënimin, raportimin për pastrimin e parash, që nuk bën sens”, deklaron ai për Gazetasi.al.
Këtë të premte ishte parashikuar një tryezë e përbashkët në lidhje me këtë projektligj mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ndërmjetësuesve. Këta të fundit thonë se janë njoftuar pak më shumë se 24 orë përpara për projektligjin dhe kërkuan kohë. Tryeza u shty për të enjten e javës tjetër. Ndonëse vlerëson se edhe periudha 7-ditore që i është lënë në dispozicion është e shkurtër, Shoqata e vlerëson këtë si hap pozitiv drejt hartimit të një ligji që do t’i rezistojë kohës.
Shoqata e Ndërmjetësuesve deklaron se mes të tjerave, projektligji i propozuar së fundmi nuk është i njëjti me projektligjin e hedhur në platformën për konsultimin publik që në vitin 2020.
“Nuk ruhet ai projektligj që është publik në platformën e konsultimit publik dhe ne jo vetëm që s’kemi dhe s’na janë marrë parasysh opinionet, por nuk po flasim për të njëjtin ligj, po flasim për një ligj të ndryshuar”, thotë kreu i Shoqatës, Reinaldo Pipiria.
“Nëse duam të bëjmë një ligj që nuk është thjesht një ligj për të plotësuar rekomandimet, atëherë hajde ta bëjmë bashkë që të jetë funksional dhe të mos fusin duart pas një viti, pasi dy vitesh. Ne duam të punojmë me rregulla. Jemi një komunitet që duam të punojmë me rregulla”, shton ai.
Shembull për këtë, Shoqata merr legjislacionin rregullator të këtij sektori në SHBA.
“Ne jemi pro krijimit të një kuadri rregullator me standardet më të larta, duke marrë shembuj vendet si SHBA (ku ky sektor është tepër i zhvilluar). Jemi të përkushtuar ndaj proceve që ngrënë standardin profesional dhe etik të ndërmjetësimit, por kjo të bëhet në partneritet me sektorin për të cilin po krijohet ky kuadër”, propozon Shoqata.
Propozimi i Shoqatës së Ndërmjetësuesve bazohet në tre kollona; ligji të hartohet në konsultim me ekspertët e fushës, të rregullojë sektorin dhe jo të jetë thjesht një ligj zgjatim i ligjit për pastrimin e parave të pista dhe të ketë të njëjtën frymë dhe rregullim sikurse profesionet e lira, duke licencuar sipas niveleve të përvojës dhe marrjes së përgjegjësive agjentët dhe broker-at.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




