Kosova

‘Ndërkombëtarët kundër veprimeve të njëanshme të Kurtit’, Vuçiç për dinarin: Jemi të gatshëm për bisedime

Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi është i gatshëm të diskutojë çdo çështje me Prishtinën, përfshirë edhe atë që ka të bëjë me vendimin për dinarin.

Në fjalën e tij për mediat pas samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë, Vuçiç tha se të gjithë ndërmjetësit ndërkombëtarë janë kundër veprimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Keni dëgjuar gjithë ndërmjetësuesit tanë, të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë përfshirë njerëz nga SHBA-ja dhe jo vetëm nga Bashkimi Evropian, që janë kundër veprimeve të njëanshme të bërë nga regjimi i Kurtit në Prishtinë.

Asnjë nuk e kupton pse po e bëjnë këtë. Të thuash se u bë nga Banka Qendrore është një lloj mendjemadhësie hipokritike që nuk i beson askush. Shpresoj të veprojnë në mënyrë më të arsyeshme në të ardhmen. Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për gjithçka, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin me kryenegociator në Bruksel për të biseduar, por pala tjetër nuk erdhi. Shpresoj të gjejmë mënyra për ta zgjidhur. Përndryshe do të shkaktojë probleme të mëdha, për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Vuçiç, kur u pyet për rregulloren e re të BQK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë