Futboll

Nderime pa fund për Vialin, dedikimi i Lipit: Faleminderit kapiteni im!

Gazeta Si – Për futbollin italian dhe jo vetëm, kjo e premte ishte ditë zie. U shua një nga lojtarët më të mirë italianë të historisë, Xhanluka Viali. Një personazh mjaft pozitiv, që i ka prekur të gjithë me mënyrën si po e përballonte tumorin.

Reagimet kanë qenë të pafundme, nga bashkëlojtarët, klubet ku ka luajtur, drejtuesit e futbollit italian dhe personazhe nga më të njohurit e botës së futbollit. Alegri e nisi konferencën e shtypit me një minutë heshtje në nderim të Vialit.

Perqafimi i Vialit me Mançinin pas triumfit ne Europian. Gazeta Si, 6 janar 2023

Protagonistët e Europianit të fundit të fituar nga Italia, veçanërisht miku Roberto Mançini kanë folur me superlativa për njeriun dhe pastaj për sportistin. Postime pa fund në rrjetet sociale dedikuar ish-sulmuesit që u largua nga kjo jetë në moshën 58-vjeçare.

Nuk do të mungonte kurrësesi ngushëllimi i Marçelo Lipit, ish-trajneri i Italisë dhe Juventusit, i cili me Vialin fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 1996. Në mesazhin dedikuar ish-sulmuesit në Instagram, Lipi shkruan: “I madhi Luka, mik i shtrenjtë, do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona. Nuk do të harroj kurrë. Faleminderit kapiteni im!”

Kurse në letrën e ngushëllimit të Juventusit shkruhet: “Çfarë trishtimi. Sot, më 6 janar 2023, vjen lajmi që nuk do donim ta merrnim kurrë. Na lë një kampion, një legjendë, një njeri i madh, një pjesë e historisë sonë. Kemi qenë gjithmonë me ty, Xhanluka.

Që kur erdhe në 1992-shin, ishte dashuri me shikim të parë. Ishte një nga kolonat e Juventusit që u kthye në majën e Europës. Kemi dashur gjithçka tënden, gjithçka, buzëqeshjen, kampionin dhe liderin në fushë e jashtë saj, kulturën dhe klasin që tregove deri ditën e fundit bardhezi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë