Ngjarje

Ndërhyrjet në Spaç, ministria: Nuk cenojnë memorien historike

Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Kulturës ka reaguar publikisht mbi debatin që është ndezur rreth projektit filmik për Revoltën e Spaçit dhe ndërhyrjeve në ish-burgun famëkeq, duke e cilësuar si “tymnajë të panevojshme”.

Në një deklaratë, ministria thekson se filmi në fjalë, i drejtuar nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, përpiqet të sjellë në ekran një nga aktet më të fuqishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri: Revoltën e Spaçit më 1973.

Sipas autoriteteve, xhirimet në vetë ambientin e Spaçit janë të nevojshme për autenticitetin e projektit, ndërkohë që po merren masa për ruajtjen e elementeve historikë.

“Kjo revoltë, e ndërmarrë nga njerëz që kishin përjetuar tejkalimin e çdo caku të dhunës shtetërore, që kishin humbur lirinë, familjen dhe jetën, mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të shpirtit të pamposhtur të njeriut. Sjellja e kësaj historie në ekran, me vërtetësi artistike dhe etike, është detyrim moral dhe kulturor, si ndaj të kaluarës, ashtu edhe ndaj brezave që vijnë.

Vështirësitë e realizimit të këtij projekti filmik janë të mëdha, për shkak të pamundësisë për të rindërtuar kampin-burg në një set, gjendjes tejet të amortizuar të sitit në Spaç, nevojës për xhirime autentike në një ambient që ruan ende gjurmët reale të tragjedisë së atij vendi”, thuhet në deklaratë.

Ministria thekson se ndërhyrjet nuk cenojnë memorien historike, por janë pjesë e një plani të miratuar më 2024 për kthimin e Spaçit në një Muze Kombëtar të Kujtesës, me kontributin e më shumë se 58 ekspertëve, ish të përndjekurish, historianësh dhe komunitetit lokal.

Në reagim thuhet gjithashtu se ndërhyrjet nuk kanë për qëllim modifikimin e memories historike.

“Ndërhyrjet nuk kanë për qëllim modifikimin e memories historike, përkundrazi, janë të menduara me kujdes për ta ruajtur dhe pasuruar atë. Në fillesë të punimeve, shenjat e rehabilitimit qenë të dukshme, por ato integrohen dhe harmonizohen përmes teknikave skenografike dhe restauruese, duke përngjasuar sa më afër gjendjes origjinale të kohës.”

Në reagim, theksohet se projektet për muzealizimin dhe filmi nuk janë në konflikt, por “dy shtylla të së njëjtës përpjekje fisnike për të mos lejuar harresën”.

Ministria kritikon edhe zërat politikë që përpiqen të instrumentalizojnë çështjen dhe bën thirrje për distancim nga provokime dhe retorikë e panevojshme.

“Prandaj, ndërhyrjet konservuese dhe projekti filmik nuk janë dy rrugë të ndara, por dy shtylla të së njëjtës përpjekje fisnike për të mos lejuar harresën të bjerë mbi atë që ndodhi, për të mësuar nga plagët e historisë dhe për të ndërtuar mure mbajtëse e ura ndërgjegjësimi mes brezave, që të mos përsëritet më kurrë ai ferr!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë