Ka ndodhur

Ndërhyri në emailet zyrtare të institucioneve, nën hetim 15-vjeçari me spektrin e autizimit në Vlorë

Gazeta Si – Një 15-vjeçar, është nën hetim, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore në vend.

Sipas policisë, rasti u zbulua në Vlorë nga operacioni i zhvilluar “The Accountant” pas 1 muaj hetime, ndërsa burime në rrugë jo zyrtare, shprehen se i mituri është i prekur nga çrregullimi i spektrit të autizmit.

Në njoftimin për mediat, policia tha se u provua që 15-vjeçari, në muajin mars 2025, ka ndërhyrë në email-et dhe faqet zyrtare të disa institucioneve shtetërore, duke ndërprerë kështu funksionimin e tyre për periudha të caktuara.

Nga hetimet, nuk rezulton që i mituri të ketë kryer vjedhje të të dhënae apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme.

Gjithnjë sipas burimeve paraprake, ai kishte mundur të hynte në serverat e disa institucioneve të rëndësishme, si Parlamenti i Shqipërisë, Institucioni SHISH, si dhe disa institucione të tjera.

Ndërsa mësohet se adoleshenti kishte tentuar të hakeronte edhe faqen e Kuvendit, por nuk ia kishte arritur. I pyetur në polici për arsyen e një akti të tillë, kishte deklaruar se thjesht “kishte kuriozitet”.

Ai po hetohet nëse mund të këtë pasur persona të tjerë që mund të kenë shtyrë për të ndërhyrë në serverat e këtyre institucioneve zyrtare.

Gjatë operacionit, policia shtoi se janë sekuestruar disa pajisje, si 5 laptopë, 6 celularë dhe 1 dronë, të cilat do shërbejnë si material prove.

Ky është rasti i dytë i hakerimit brenda pak ditëve pas njoftimit të SPAK-ut një ditë më parë, ku u bë me dije se 2 persona janë arrestuar për hakerimin e email-eve të prokurorëve të posaçëm dhe shpërndarjen e materialeve tek persona të tjerë në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë