Analize

Ndarja? Beteja e re SHBA-BE për Kosovën

Serbia dhe Kosova kanë hapur tanimë letrat në tavolinë për rivendosjen e kufijve, një strategji që po mbështetet më zë të lartë  jo vetëm nga Alexandër Vuçiç, por edhe nga Hashim Thaçi. Dy presidentët janë shprehur të hapur për ndryshim kufijsh. Shkëmbimi i Luginës së Preshevës me Veriun e Mitrovicës, Thaçi nuk e pranon, ndërsa Vuçic është më i hapur. Por duket se ata nuk kanë marrë bekimin e aktorit më të rëndësishëm në rajon, Bashkimit Europian. Megjithatë, Serbia ka sinjalizuar se ka gjetur tanimë një aleat edhe më të fuqishëm se BE-ja: Presidentin Donald Trump.

Kryeqytetet e mëdha evropiane dhe SHBA-të kanë qenë gjithmonë kundër ndarjes së Kosovës, por duket se gjërat kanë ndryshuar pas ardhjes në pushtet të Presidentit Trump. Sipas gazetës amerikane “Buzzfeed”, një nga më të rëndësishmet online dhe kritike e fortë e Trump, zyrtarët europianë janë të shqetësuar se qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ballkanit mund të çojë drejt destabilizimin të rajonit.  Kryeqytetet kryesore të Europës kanë kundërshtuar gjatë çdo propozimi për të “luajtur me kufijtë” e Ballkanit Perëndimor, duke pasur frikë se lëvizje të tilla do të prishnin ekuilibrin delikat të rajonit. Por, Trump, duket se ka miratuar një qasje më ambivalente dhe është i hapur për propozimet që vijnë nga pala amerikane. Sipas gazetës amerikane, “beteja” e ardhshme e SHBA-së me BE-së duket se do të “luhet” tanimë për Kosovën.

Merkel kundër ndryshimit të kufijve

Kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi poshtë të hënën çdo ndryshim kufijsh në Ballkan, duke u dhënë një mesazh të rëndësishëm udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës. Edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Merkel duket se kundërshtoi ndarjen e mundshme të Kosovës, si një perspektivë që mund të hapë “kutinë e Pandorës” në Ballkan, një rajon ku pothuajse të gjitha kombet vazhdojnë të ushqejnë shpresa për ndryshime kufitare.

"Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është themeluar dhe është i pacenueshëm- tha Merkel në fillim të një konference për shtyp në Berlin me Kryeministrin e Bosnje dhe Herzegovinës Denis Zvizdić- Kjo duhet përsëritet vazhdimisht, deri sa të marrin fund përpjekjet për ndryshimin e kufijve. Ne nuk mund ta lejojmë këtë".

Kancelarja gjermane Angela Merkel me Denis Zvizdić, kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës

Komentet e Merkel nuk përbënin në fakt asnjë surprizë, pasi për vite me radhë, zyrtarët ndërkombëtarë kanë kundërshtuar me forcë ndryshimet e mëtejshme kufitare në Ballkanin Perëndimor. Shumica e vendeve perëndimore kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por shumë pak prej tyre mbështetin idenë e rishikimit të kufirit që ndan Kosovën dhe Serbinë.  Qeveritë europiane kanë frikë se një plan i tillë, mund t’i “vërë sërish flakën” rajonit, i cili vetëm 25 vjet më parë ishte dëshmitar i gjenocidit dhe konfliktit më të madh në tokën europiane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Britanisë së Madhe tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është "vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve, rajonit më të gjerë". Por ai shtoi se Britania e Madhe beson se kjo duhet të vijë në bazë të njohjes së shteteve të pavarura sovrane brenda kufijve të tyre të tanishëm. “Ne besojmë se thirrjet për rivendosjen e kufijve kombëtarë mund të çojnë drejt destabilizimit”, tha ai për “Buzzfeed”.

Një diplomat francez tha gjithashtu për gazetën amerikane se ideja e diskutimit të kufijve është alarmante. "Kufijtë janë një minë me sahat. Askush e nuk mund ta parashikojë çfarë mund të ndodhë kur preken kufijtë.”

Çfarë qëndrimi ka administrata e Presidentit Trump?

Diplomatët në të dyja anët e Atlantikut mendojnë se administrata Trump ka miratuar një qëndrim më të butë ndaj çështjeve ndërkombëtare, si pjesë e të cilit të gjitha vendet janë të mirëpritura për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. Ata frikësohen se SHBA-ja mund të këmbëngulë që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazohet kryesisht mbi integritetin territorial. Ajo që shqetëson vëzhguesit e Ballkanit, nuk është nëse SHBA-ja do të mbështesë apo jo idenë e shkëmbimit të territoreve, por mungesa e një pozicioni të qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje si dhe sinjalet e shumta se administrata po përfshihet fuqishëm në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump

 “Ndryshimi i kufijve ishte një temë që diskutua edhe në Uashington nga Ministri i Jashtëm i Serbisë gjatë një takimi me dhëndrin e Presidentit Trump, Jared Kushner dhe këshilltarin e tij, John Bolton”, shprehet  David Phillips, drejtor i programit për të drejtat e njeriut në Institutin në Universitetin e Colombias. Pas takimit, zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç deklari se “të gjitha kartat ishin hedhur në tryezë, duke përfshirë edhe ndryshimin e kufijve.

"Deklarata e tij sinjalizon se Uashingtoni nuk ka ndonjë politikë ose plan koherent- shprehet Phillips, gjithashtu ish-këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit, në kohën e Presidentëve Clinton, Bush dhe Obama.  "Fakti që nuk po ndjekim një politike zyrtare është shqetësues, sepse udhëheqja amerikane ka rëndësi të madhe në Ballkanin Perëndimor. Të jesh në “gjumë” gjatë këtij momenti kritik nuk ndihmon as Kosovën, as Shtetet e Bashkuara", tha ai.

Pas udhëtimit të tij dy-ditor në SHBA, i cili përfshinte edhe takime me Këshilltarin e Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Daçiç tha se administrata e re e Shteteve të Bashkuara ishte më e harmonizuar me qëndrimet e Serbisë.

"Administrata e tanishme amerikane është e gatshme të marrë në konsideratë dhe të shqyrtojë në mënyrë të barabartë propozimet tona për zgjidhjen e problemeve në rajon. Një zgjidhje e qëndrueshme për problemin e Kosovës, është padyshim njëra prej tyre", u shpreh Daçiç. "Ky është një ndryshim i madh në krahasim me vetëm dy vjet më parë, pasi që në të gjitha bisedimet me përfaqësuesit e institucioneve të SHBA-së është pohuar se çështja e Kosovës ishte tashmë e zgjidhur”, tha ai.

Ivica Daçiç dhe John Bolton

Një nga aleatët më të mëdhenj të Serbisë në Uashington është John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump. Ai ishte një nga kundërshtarët e fortë të pavarësisë së Kosovës, në kohën kur ishte Ambasador i SHBA-ve në OKB.  Në vitin 2008 Bolton u shndërrua në zërin më të fuqishëm të skepticizmit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se ajo do të ishte një rrezik i madh për stabilitetin  e rajonit dhe se do të përhapte separatizëm kudo në Europë. Dhe në fakt, emërimi i tij u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga serbët, të cilët shpresonin se qëndrimi i tij ndaj Kosovës do të zbuste edhe qëndrimin e Presidentit amerikan ndaj Serbisë. Duke parë rezultatet e vizitës së Daçiç në SHBA, mund të aludohet se Bolton nuk ka ndryshuar mendje në lidhje me Kosovën. Por a do të pasqyrohet kjo në politikën e jashtme amerikane?

Përse do të ndryshonte SHBA-ja qëndrim

Një burim diplomatik në Prishtinë sugjeroi se ndryshimi i pozicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë muajve të fundit, duke favorizuar arritjen e një marrëveshje të shpejtë, edhe nëse ajo do të përfshinte shkëmbimin e territoreve, është nxitur nga shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan.

Rusia dyshohet se fshihej pas grushtit të shtetit në Malin e Zi dy vjet më parë. Disa javë më parë diplomatët rusë u dëbuan nga Greqia pasi u akuzuan se po përpiqeshin të pengonin arritjen e një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin. Në një intervistë muajin e kaluar, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha për “BuzzFeed” se qeveria e tij kishte marrë raporte të shumta se rusët po ndërhynin në përpjekje për të minuar referendumin për ndryshimin e emrit. Por pavarësisht nga ndërhyrjet e Rusisë në rajon, ekspertët besojnë se kjo e fundit, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të pranojë qëndrimin e qeverisë serbe mbi Kosovën. Megjithatë, SHBA-ja mund të nxitet të ndryshojë qëndrim edhe për shkak të dështimit të Bashkimit Europian për të arritur rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bisedimet e ardhshme në shtator do të shënojnë fazën e fundit të negociatave midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur të zgjidhin thelbin e mosmarrëveshjeve: refuzimin e Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës.

Presidenti rus Vladimir Putin takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç në Kremlin 

Sipas Philips, pyetja kyçe është dhe për sa kohë mund të negociojë BE-ja një dialog që nuk shkon askund. “Nëse BE-ja nuk mund të sigurojë që Serbia të njoh Kosovën si një shtet të pavarur, atëherë është më mirë të ndalojë dialogun. Ndryshimi i kufijve do të ishte një dështim i madh për BE-në”, shprehet ai.

Sipas “BuzzFedd”, diplomatët amerikanë shprehen se janë të zhgënjyer me punën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke pretenduar se Prishtina dhe Beogradi lihen shpesh në errësirë dhe nuk janë të informuara mbi detajet kryesore rreth përmbajtjes së bisedimeve. Zyra e Mogherinit nga ana tjetër, nuk pranoi të thoshte se ku qëndronte BE në çështjen e kufirit dhe nëse ajo ishte diskutuar zyrtarisht nga të dyja palët.

Deri në çfarë pikë kanë arritur negociatat për ndryshimin e kufijve?

Sipas burimeve në qarqet politike në Beograd, Vuçiç po hap rrugën për një marrëveshje përfundimtare mbi ndryshimin e kufijve.

"Pothuajse të gjitha palët politike janë të vetëdijshme se kompromisi me Kosovën është duke u arritur", tha për “BuzzFeed”, Ivan Vejvoda, një ish-këshilltar i kryeministrit serb Zoran Gjinxhiç. "Presidenti Vuçiç ka një ndikim shumë të madh politik dhe mund të shtyjë përpara çdo politikë që dëshiron. Opinioni publik është i gatshëm të pranojë çdo lloj zgjidhjeje, me kusht që t’u jepet garanci për serbët në Kosovë dhe për Kishën Ortodokse. Mund ta quani si të doni, shkëmbim territoresh apo korrigjim kufijsh, por kjo çështje ka vërtitur gjithmonë në mendjet e politikanëve të Serbisë dhe Kosovës. Kjo temë është biseduar gjithnjë pas kuintave, edhe pse nuk është diskutuar zyrtarisht. Por tanimë duket se ka vullnet politik serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje", tha ai.

Ndërkohë ish zv/ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, tha për “BuzzFeed” se marrëveshja përfundimtare e paqes midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbushë tre kushte: "Serbia duhet të njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Në mënyrë simbolike, marrëveshja duhet të sigurojë që flamuri i Kosovës të valëvitet si përpara ndërtesës së OKB-së në Nju Jork, ashtu edhe përpara Ambasadës së Kosovës në Beograd. Kushti i dytë është që asnjë çështje që mund të shkaktojë konflikte në të ardhmen, nuk duhet të lihet e hapur. Dhe kushti i tretë është që SHBA –ja dhe BE-ja të mbështesin marrëveshjen.”

Presidenti i Kosovës thotë nga ana tjetër thotë  se ndryshimi paqësor i kufijve nuk hap “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, por gjasat janë që në tavolinën e dialogut me Serbinë, kërkesa e tij që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të bëhen pjesë e Kosovës të pasohet nga një kundërkërkesë e Beogradit për Veriun. Thaçi thotë se do ta refuzojë.

“Unë luftoj dhe mbroj interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë nuk ja qaj hallin Serbisë, në asnjë rrethanë. Mirëpo në një skenar të tillë hipotetik përgjigjia ime do të jetë “Jo”, deklaroi ai. Në Prishtinë, opozita e akuzon Thaçin se po zhvillon bisedime të fshehta me Beogradin për tema që nuk ka mandatin dhe legjitimitetin për të diskutuar. Ai konfirmon se deri më tani e gjithë tema është hedhur për konsum publik, por në shtator, kur pritet edhe që të ndodhë takimi i parë me Vuçiç në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, do të dorëzojë një propozim konkret në tavolinë.

Burimet: "BuzzFedd", "Politico", "Foreing Politics"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë