Futboll

Ndalohet Agim Ademi, kreu i FFK-së dyshohet për dy vepra penale

Gazeta Si – Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, është arrestuar për të paktën 48 orë. Ai është vënë në pranga me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe pas vendimit ka shfaqur edhe probleme shëndetësore.

Ademi ishte ftuar sot për t’u marrë në pyetje pas dyshimeve në lidhje me disa vepra penale. Një ditë më parë ka ndodhur e njëjta gjë edhe me drejtorin e financave në Federatën e Futbollit të Kosovës, Agim Gashi. Ky i fundit është liruar pas marrjes në pyetje, kurse kreu i FFK-së jo.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”, – shkruhet në komunikatën e Prokurorisë.

Presidenti i FFK-së ka shkuar në spital me pranga në duar, pasi nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë