Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave ka qenë i nevojshëm, madje sipas tij, ky vendim është marrë me qëllim që të kursehen xhepat e qytetarëve.
Gjatë prezantimit të rezultateve vjetore në Doganën e Kosovës, pohoi se askush nuk do të mund të përfitojë në kurriz të qytetarëve.
“Do të ishte shumë e padrejtë që ne si shtet të subvencionojmë fitimin e dikujt në kurriz të qytetarëve tjerë. Prandaj ka qenë e nevojshme që të merret ky vendim që të kufizohet përkohësisht prodhimi i kriptovalutave në mënyrë që të kursejmë xhepat e qytetarit”.
Për shkak se për përfitim të disave rritet kostoja apo bëhet barrë e gjithë taksapaguesve të tjerë. Kjo ka qenë arsyeja”, ka deklaruar Murati.
Ai ka shtuar se çdo investim apo çdo blerje e kriptovalutave siç është sqaruar edhe nga Banka Qendrore, bart rrezik në vetvete për shkak se nuk ka asgjë të garantuar dhe është më tepër një shpresë se në të ardhmen do të jetë çmimi më i lartë për të cilin do të shitet ai aset që është blerë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka marrë vendim për masat emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë që tashmë e ka kapluar vendin.
E gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vetë Ministria e Ekonomisë së Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.