Kosova

Ndalimi i pagesave me dinarë në Kosovë, Lajçak: Besoj do të gjejmë një zgjidhje pa pasoja

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka alarmuar se Kosova do të ndalojë transaksionet e pagesave me dinarë. Për këtë çështje është në dijeni edhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregullore të re, që hyn në fuqi nga 1 shkurti, ku thuhet se valuta e vetme në Kosovë është euro.

“Këtë çështje e ngrita në bisedën time me kryenegociatorin nga Kosova, Bislimi. I kërkova që të përgjigjet për disa pyetje të rëndësishme. Dhe së dyti, atë informacion ia kam përcjellë Brukselit dhe shërbimet tona tani janë duke e analizuar situatën. Presim që ta dalin shumë shpejt me ndonjë qëndrim të përbashkët dhe zyrtar”, tha Lajçaku.

Lajçaku tha se nuk dëshiron të japë asnjë vlerësim për momentin, pas pyetjeve nga mediat serbe se a përbën “rrezik” kjo situatë.

“Besoj se nuk do të bëhet e rrezikshme, besoj se do të gjejmë një zgjidhje që sigurisht nuk do të ketë pasoja negative”, tha Lajçaku.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës dje ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është euro.

Ndërkaq, sa u përket valutave tjera, BQK-ja ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

Presidenti serb ka folur për një përpjekje të kryeministrit Kurti për të “ndaluar pagesat e pagave dhe pensioneve të serbëve lokalë që punojnë në shëndetësi, arsim e institucione të Serbisë”.

Vuçiç ka thënë se “kjo nënkupton një largim të serbëve nga Kosova”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë