Ngjarje

Ndalimi i monopatinave elektrike, aktivistët çojnë padi në Kushtetuese: Të pezullohet udhëzimi

Nga Gazeta Si- Aktivistë të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke paditur vendimin e ministrisë së Brendshme për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike.

Sipas tyre, përdorimi i monopatinave redukton numrin e automjeteve në qarkullim si dhe lehtëson problemin e parkimeve.

Në muajin dhjetor Ministria e Brendshme ndaloi përdorimin e monopatinave për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve. Bllokimi do të ishte në fuqi  për një kohë të shkurtër, deri në hartimin e masave të reja për lejimin e tyre por edhe pse kanë kaluar muaj, ende nuk ka një kuadër ligjor të përdorimit të tyre.

Në padi, kërkohet që udhëzimi të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën, të pezullohet menjëherë deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor dhe qytetarëve t’iu rikthehen menjëherë mjetet e bllokuara.

Në padi listohen disa arsye pse ky udhëzim duhet të shfuqizohet.

Sipas aktivistëve, udhëzimi cenon lirinë e lëvizjes së qytetarëve, cenon lirinë ekonomike dhe veprimtarinë e ligjshme tregtare, ndërhyn në të drejtën e pronës, shkel parimin e proporcionalitetit, cenon sigurinë juridike si dhe tejkalon kompetencën normative të autoritetit administrativ.

“Autoriteti administrativ ka zgjedhur masën më ekstreme të mundshme, duke eliminuar tërësisht përdorimin e këtyre mjeteve”, theksohet në padi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë