Kosova

Ndalimi i dinarit/ BE kërkon sqarime nga Kosova lidhur me motivet dhe pasojat që mund të ketë

Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Europian kritikon vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që ndaloi përdorimin e dinarit brenda republikës. Zëdhënësi Peter Stano, tha se kjo mund të ndikojë negativisht në stabilitetin në terren.

“Ne ende po analizojmë dhe kërkojmë sqarime lidhur me vendimin, arsyen, motivet dhe implikimet që mund të ketë. Në përgjithësi, presim që Kosova dhe Serbia të shmangin veprimet e pakoordinuara, të cilat nuk shkojnë në frymën e normalizimit të marrëdhënieve dhe që mund të kenë një ndikim negativ në stabilitetin në terren. Ne nxisim dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që ta adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian,” deklaroi Stano.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është euro.

Ndërkaq, sa u përket valutave tjera, BQK-ja ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë