Futboll

Ndahet nga jeta ish-lojtari i Tiranës dhe Kombëtares, Skënder Hyka

Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare ish-futbollisti i njohur i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Skënder Hyka. Një sëmundje e rënda, nga e cila vuante prej kohësh, ka mposhtur ish-futbollistin, ish-zyrtarin e klubit tëTiranës dhe së fundi anëtarin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Për më shumë se 10 vjet ai ka mbajtur fanellën e 17 Nëntorit të atëhershëm, Tiranës së sotme. Reth 60 gola të shënuar nga ish-sulmuesi me skuadrën kryeqytetase. Ka luajtur edhe me Kombëtaren, ku veçohet ndeshja me Gjermaninë në vitin 1967. Ndër ndeshjet ndërkombëtare me Tiranën veçohet ajo me Ajaksin, ku Hyka ishte titullar. U shkëput nga futbolli i luajtur në vitin 1973. Ka mbajtur postin e shefit të klubit të Tiranës, ndërkohë që për shumë vite ka qenë pjesëtar i  Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe sekretar i institucionit që drejton futbollin në vend. Një ish-futbollist shembullor dhe një zyrtar i shkëlqyer.

Skënder Hyka dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Hykës, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dërguar këtë mesazh ngushëllimi për komunitetin e futbollit: “Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje njerëzore, ndaj me Ju, të nderuar miq të komunitetit të futbollit, lajmin e trishtë, se Skënder Hyka, një ish-lojtar i shquar, drejtues klubi dhe mik e dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta, përgjithmonë. Në këtë çast të dhimbshëm për të gjithë ne, për familjen, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, besoj dhe shpresoj, që kjo humbje e madhe të lërë mes nesh kujtimin më të mirë të të ndjerit. Kujtimin e një njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij ju përkushtua futbollit, punoi dhe dha më të mirën për zhvillimin e tij. Kujtimin e një lojtari legjendë, të një drejtuesi të devotshëm dhe të një njeriu zemërgjerë dhe të ndershëm. Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Ai spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa legjislatura radhazi atë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv. Në çdo cast ai ka ndihmuar me përkushtimin dhe mendimet e tij, që futbolli të ecë përpara. Në emër të komunitetit të lojës tonë të mrekullueshme, të Federatës Shqiptare dhe të gjithë, miqve dhe dashamirësve të tij, gjej rastin që ti shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e njeriut të dashur. Parajsa, qoftë vendi ku do të prehet. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”.

Homazhet për nderimin e figurës së Skënder Hykës do të zhvillohen nesër, në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë. Lamtumirë Skënder Hyka!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë