Ka ndodhur

Ndahet nga jeta dirigjenti Milto Vako

Dirigjenti i njohur shqiptar, Milto Vako, është ndarë këtë të martë nga jeta.

Lajmi për vdekjen e tij bëhet me dije nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.

Në një postim në mediat sociale, TKOB njofton se Vako, një nga emrat më të nderuar të artit shqiptar në fushën e dirigjimit koral, nuk është më në këtë botë.

Vako është autor i një serie përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990 ai ushtroi edhe detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve.

“LAMTUMIRË – MJESHTRIT MILTO VAKO! Me hidhërim të thellë Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit Milto Vako. Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral. Mjeshtri u diplomua në Konservatorin ‘Cajkovski’ në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit.  Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i  korit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Si drejtues i korit të AKVP, së bashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i ‘Gjerdanit të Artë’ të AKVP në Dijon të Francës. Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si ‘Mrika’, (1966), ‘Heroina’, (1967), ‘Skënderbeu’, (1968), etj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e TOKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë