Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për të ndarë dosjen e “Sterilizimit”, ku të pandehurit e tjerë do të gjykohen me gjykim të shkurtuar, ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj me gjykim të zakonshëm.
Sipas gjykatës, në kushtet kur Beqaj nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, veçohet çështja ndaj tij. Mes atyre që përfituan gjykimin e shkurtuar janë ish-zv/ministri Klodjan Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj dhe 6 zyrtarët e tjerë të dikasterit. As Beqaj dhe as avokati i tij nuk kishin bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar.
Në seancën e radhës të kësaj të mërkure për gjyqin mbi dosjen e “Sterilizimit”, në Gjykatën e Posaçme, i pranishëm ka qenë si i pandehur edhe Ilir Beqaj, që në këtë proces ndiqet në gjendje të lirë, por është i arrestuar për çështjen e abuzimit me fondet e “SASPAC”. Seanca është zhvilluar me tensione dhe akuza nga ish ministri i cili është përballur me Prokurorin e SPAK.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në deklaratën e tij para trupit gjykues ka shprehur se ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme një vendim të vitit 2017, në të cilën thuhet se është pushuar çështja e “Sterilizimit” nga Prokuroria e Tiranës. Ai ka kërkuar që kjo të merret si një provë.
“Mbrojtja ime ka marrë një përgjigjie nga zoti Kondili, si prokuror i çështjes për një kërkesë që i kemi bërë SPAK. Unë kam kërkuar nga SPAK që të marrë një vendim të 2017 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. E kam bërë disa herë këtë kërkesë. SPAK nuk ma vendosi në dispozicion, e gjeta tek Kuvendi këtë vendim, që shkoi tek Kuvendi për komisionin hetimor. Vendimi ka të bëjë me një vendim të Prokurorisë së Tiranës për pushim të çështjes për dosjen e Sterilizimit. Prova të pafajësisë sipas meje nuk i shqyrton organi procedues, e ka detyrim ligjor të kërkojë si prova për fjalinë, ashtu edhe për pafajwsinë e një të pandehuri. Dua që ky vendim të merret nga gjykata dhe të shqyrtohet si provë”, tha Beqaj.
Madje Beqaj shkoi edhe më tej, duke pretenduar se ndaj tij po bëhej “inkuizicion”. “Vazhdimi i këtij procesi gjyqesor nuk është gjë tjetër, veçse vazhdim i inkuizicionit ndaj meje”, tha ai.
Prokurori Kondili, shtroi e një herë kërkesën e tij që Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, të gjykohen për “vjedhje”, duke shpërdoruar detyrën, si dhe për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”.
Kundërshtime ka pasur nga pala e Beqajt, së bashku me avokatin e tij, Ermal Yzeiraj, i cili është shprehur se është i paqartë me akuzën e SPAK-ut ndaj klientit të tij.
“Unë jam i paqartë për akuzat, pasi prokuroria nuk e ka saktësuar akuzën, sepse verbalisht thonë vjedhje duke shpërdoruar detyren dhe grup kriminal, ndërsa me shkrim është shpërdorim detyre. Unë jam i paqartë për cfarë do të mbrohem”, u shpreh avokati Ermal Yzeiraj.
Në mbështetje ishte dhe Beqaj, i cili u shpreh “Unë jam përgatitur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Siç më ka arsyetur për shpërdorim detyre dhe duhet të arsyetojë pse është vjedhje. Ju s’e keni thënë kurrë këtë akuzë, keni thënë vetëm fjalën pranojmë. Pa një formulim të saktë të akuzës nuk mund të përgjigjem. Në 3 krerë të ndryshëm na kanë venë nene të ndryshme të Kodit Penal. Ne jemi bërë si autoshkollë, unë nuk bëj dot mbrojtje efektive pa një akuzë të shkruar”.
Në përmbyllje të këtyre, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të gjykohet nga GJKKO-ja për veprat penale “vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, dhe “grup i strukturuar kriminal”. Kështu, Ilir Beqaj do të gjykohet i vetëm, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë në gjykim të shkurtuar.
Nga ana tjetër, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e saj në një gjykatë tjetër, për shkak se kjo çështje është kompetencë e SPAK-ut.
Seanca e radhës gjyqësore për 8 të pandehurit, me përjashtim të Beqajt, do të mbahet më 11 qershor, ora 10:00.
Ish-ministri i Shëndetësisë është nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqaj ka miratuar dhe nënshkruar kontratën koncesionare në kundërshtim me ligjin, pa kryer një studim të detajuar për nevojat reale të shërbimit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit.
Në mars 2024, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, duke përfshirë edhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe shpërdorim detyre.
Beqaj ka mohuar akuzat, duke mbrojtur koncesionin si një projekt që ka sjellë përfitime për sistemin shëndetësor dhe qytetarët.
Sakaq, të pandehurit janë: Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Nail Ajazi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.