“Të paktën 90% e lojtarëve të NBA-së është vaksinuar”, – tha në korrik Majkëll Roberts, drejtori ekzekutiv i sindakatës. Liga synon ta rritë këtë përqindje gjatë sezonit 2021-22. Nuk do që ta bëjë të detyruar vaksinimin, sepse ajo mbetet një zgjedhje personale, por jeta do të jetë gjithmonë e më vështirë për ata që nuk janë vaksinuar, me një sërë rregullash, të ngjashme me ato të sezonit të shkuar.
Lojtarët e pavaksinuar kanë detyrimin të testohen çdo ditë, madje gjatë ditëve të ndeshjes mund të bëhen edhe dy tamponë. Në stol, lojtarët që nuk janë vaksinuar duhet të mbajnë maskë. NBA u ka bërë të ditur skuadrave që të ketë vende veç për të vaksinuarit (pa distancim) dhe veç për ta pavaksinuarit. Dy grupet janë të detyruar të qëndrojnë të ndarë edhe në avion ose autobus, me lojtarët e pavaksinuar të detyruar të mbajnë distancën sociale nga shokët e ekipit.

Për ata që nuk kanë bërë vaksinën mbetet në fuqi karantina në rast të ndonjë kontakti të afërt me ndonjë person që del pozitiv (të paktën një javë). Lojtarët e vaksinuar mund t’i kthehen jetës “normale” edhe në trasfertë. Sezonin e shkuar ata nuk mund të dilnin nga hoteli, kurse në sezonin që nis më 19 tetor janë të lirë të frekuentojnë baret dhe restorantet sipas dëshirës.
Normat që NBA po studion, në bashkëpunim të plotë me sindikatën e lojtarëve, u përshtaten edhe atyre që kanë vendosur autoritetet lokale. Në Nju Jork dhe San Françisko, për shembull, është detyrim vaksinimi për të hyrë në qendrat stërvitore. Lojtarët e Kniks, Nets dhe Uarriors duhet të jenë të vaksinuar për të zbritur në fushë në ndeshjet në shtëpi.
Asnjë lojtar nuk ka dalë hapur kundër vaksinimit, përkundrazi, shumë mbështesin fushatën e vaksinimit, por jo të gjithë janë vaksinuar. Ditët e fundit NBA ka arritur një akord edhe për vaksinimin e arbitrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




