Nga Gazeta ‘Si’- Në numrin e fundjavës, e përditshmja gjermane Berliner Zeitung i kushton një artikull fjalimit të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç gjatë një takimi në Zyrih të Zvicrës.
“Zgjidhja e konfliktit me Kosovën është integrimi i Ballkanit në BE”
Vuçiç ka kritikuar ndërhyrjen e NATO-s të viteve 1998/99 dhe ka bërë krahasime me krizën në Ukrainë. “Argumentet në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës kuptohen mirë në Serbi, por të njëjtat parime iu mohuan Serbisë në vitin 1999,“ ka deklaruar ai.
Ai tha se NATO kishte vepruar “pa mandat të OKB-së dhe jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare“ për të “mundësuar shkëputjen e Kosovës nga territori serb.“
Me pranimin e plotë të rajonit të Ballkanit në BE, mund të zgjidhet problemi me Kosovën, citon Berliner Zeitung Vuçiçin. Sipas saj Vuçiç ka përmendur shembuj të suksesshëm nga historia më e re evropiane, si Tirolin e Jugut, Alsasën ose marrëdhënien moderne gjermano-polake, të siguruar nga heqja dorë përfundimtare e Gjermanisë nga territoret lindore në marrëveshjen 4+2 të vitit 1990.
Vuçiç theksoi se përgjegjësit politikë si Macron, Scholz apo von der Leyen, por edhe Putin, duhet ta dëshirojnë këtë duke pasur parasysh situatën në Ukrainë.
Modelet që sugjeron Vuçiçi
Tiroli i Jugut është një rajon autonom në Itali, i banuar kryesisht nga gjermanofolës, ku konflikti për identitetin dhe të drejtat kulturore u zgjidh përmes një autonomie të zgjeruar në vitet 1970. Alsasa, një rajon në Francë me histori të gjatë konfliktesh mes Gjermanisë dhe Francës, u bë simbol i pajtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Integrimi i tij në Francë me respekt për kulturën dhe gjuhën vendase tregon suksesin e dialogut dhe bashkëpunimit evropian.
Ndërsa marrëveshja Katër Plus Dy (1990) u nënshkrua mes dy Gjermanive dhe katër fuqive aleate për të lejuar ribashkimin e Gjermanisë, duke garantuar heqjen dorë nga pretendimet territoriale mbi zonat lindore. /DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.