Aleatët e NATO-s janë zotuar të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen kolektive, me një objektiv ambicioz prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.
Kjo u bë e ditur në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s, që u zhvillua në Hagë.
Sipas dokumentit, 3.5% e PBB-së do të destinohet për nevoja bazë të mbrojtjes, ndërsa deri në 1.5% do të shkojë për fusha të tjera të lidhura me sigurinë, si mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe fuqizimi i industrisë ushtarake të Aleancës.
Ky vendim vjen në një kohë të tensionuar për sigurinë globale, ku NATO e cilëson Rusinë si një “kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike”, ndërsa nuk përjashton rreziqet e vazhdueshme nga terrorizmi.
Në deklaratë, aleatët përsërisin angazhimin për mbështetjen e Ukrainës, por nuk përmendin qartë një rrugë të mundshme për anëtarësimin e saj në Aleancë, ndryshe nga formulimet më të drejtpërdrejta në samitet e mëparshme.
Progresi në zbatimin e këtyre objektivave të rritura do të rishikohet në vitin 2029.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.