Kosova

NATO kërkon nga Serbia përgjegjësi për aktet e dhunës që ndodhën në veri të Kosovës

Nga Gazeta 'Si' - Ndihmëssekretari i NATO-s, Boris Ruge, pas vizitës në Kosovë, ku është takuar me zyrtarë të shtetit, ka vazhduar vizitën e tij në Serbi.

Ruge është takuar sot me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Përmes një postimi në “X”, Ruge ka shkruar se NATO-ja pret nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë për aktet e dhunës që ndodhën veri gjatë vitit të kaluar.

“Diskutim i mirë me presidentin Aleksandar Vuçiç për marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë, të cilat shpresojmë t’i shohim të thelluara. Ne diskutuam gjithashtu çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO-ja pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunës të majit dhe shtatorit 2023”, shkroi Ruge.

Kujtojmë që në maj të vitit të kaluar ndodhën përplasje në Zveçan gjatë marrjes së pushtetit nga kryetarët shqiptarë të komunave dhe më pas në shtator ndodhi sulmi i Banjskës ku mbeti i vrarë nga serbët rreshteri Afrim Bunjaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë